Protesta për parkun në Kiev interpretohet si rekrutim i grave

8

Pretendimi: Kjo video tregon rekrutimin me forcë të grave ukrainase në ushtri

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon rekrutimin me forcë të grave në ushtrinë ukrainase. Postimi që shoqëron videon pretendon gjithashtu se tashmë në Ukrainë u ka ardhur rradha grave për të luftuar, një narrativë që nxitet nga propaganda ruse.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme, krahas 3 videove të tjera nga i njejti incident, është postuar në rrjet nga media ukrainase Pravda më 22 shtator 2026. 

Sipas përshkrimit që shoqëron videon, ajo nuk tregon rekrutimin e detyruar të grave, por një përplasje që shpërtheu midis policisë bashkiake dhe aktivistëve për shkak të vazhdimit të ndërtimit të rrjetit të ngrohjes në lagjen e Kievit, Teremky.

Aktivistët dhe banorët vendas e kundërshtuan këtë projekt që kërkonte prerjen e disa pemëve. Nga ana e saj, bashkia e Kievit shpjegon se ndërtimi i këtij rrjeti të ri është thelbësor për të furnizuar 183 ndërtesa banimi, spitale dhe institucione arsimore në zonë në rast të një aksidenti në termocentralin CHP-5 në Kiev. Përleshjet shpërthyen gjatë përpjekjeve për të penguar makineritë e ndërtimit më 21, 22 dhe 27 shtator, sipas shtypit ukrainas.

Organizata ukrainase për të drejtat e njeriut ZMINA raportoi se punonjës të shërbimit bashkiak të sigurisë i larguan me forcë aktivistet nga vendngjarja më 21 shtator 2026, ndërsa policia dhe personeli i sigurisë ruanin kantierin e ndërtimit. Dy prej grave u identifikuan si aktiviste vendase dhe banore të Teremky, Natalia Chernyshova dhe Tetiana Troshkina. Ato deklaruan se kishin shkuar në park për të fotografuar dhe filmuar punimet.

Të dyja gratë i thanë ZMINA se u larguan me forcë nga vendi i ngjarjes dhe më pas u dërguan në spital. Troshkina, gruaja që shihet në video e veshur me rroba të errëta, tha se u tërhoq nga trungu i një peme prej disa punonjësve të shërbimit bashkiak të sigurisë dhe se më vonë iu diagnostikua një dëmtim në gisht. Ajo ka bërë gjithashtu një denoncim në polici.

Kanali ukrainas i lajmeve NV publikoi një intervistë me Troshkinën të nesërmen, në të cilën ajo e përsëriti këtë version të ngjarjes.

Tetiana Troshkina

Sa i përket rekrutimit të detyrueshëm të grave në ushtri, Këshilli i Lartë i Parlamentit të Ukrainës iu përgjigj kësaj pyetjeje më 26 gusht në mënyrë të prerë: “Komiteti i Verkhovna Rada-s së Ukrainës për Sigurinë Kombëtare, Mbrojtjen dhe Inteligjencën raporton zyrtarisht se nuk ka iniciativa legjislative, as projektligje dhe as diskutime të brendshme lidhur me mobilizimin e grave.” Parlamenti përsëriti se pjesëmarrja e grave në ushtri bëhet, rrjedhimisht, vetëm mbi baza vullnetare.

I vetmi përjashtim, që nga 1 tetori i vitit 2023, janë profesionistet gra të fushës së shëndetësisë, të moshës 18 deri në 60 vjeç, të cilat e kanë të detyrueshme të regjistrohen për shërbimin ushtarak. Kjo përfshin mjeke, infermiere, mami, dentiste dhe farmaciste. Megjithatë, regjistrimi nuk garanton mobilizim. Forcat e armatosura ukrainase e kanë justifikuar këtë masë me nevojën për të vlerësuar disponueshmërinë e personelit shëndetësor në rast urgjence.