Në 13 janar, Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) raportoi se sistemi i monitorimit Vaccine Safety Datalink (VSD) kishte “përmbushur kriteret statistike për të shkaktuar një hetim të mëtejshëm mbi nëse ekziston një shqetësim për ishemi në njerëzit 65 vjeç e sipër që morrën vaksinën bivalente anti-Covid-19 Pfizer-BioNTech.”
Këtë njoftim, konspiracionistët anti-vaksinim e kanë interpretuar si një ‘pranim’ nga ana e agjensive qeveritare amerikane se ka një lidhje mes vaksinimit anti-Covid dhe ishemisë.
Ajo që nuk theksohet nga këto interpretimi të deklaratës së CDC është pjesa ku thuhet: “Megjithëse tërësia e të dhënave deri tani sugjeron se ka shumë pak gjasa që sinjali në VSD përbën një rrezik të mirëqenë klinik, ne besojmë se është e rëndësishme ta ndajmë këtë informacion me publikun.”
CDC dhe FDA shpjeguan se të dhënat nga një numër sistemesh për monitorimin e efekteve anësore të vaksinave anti-Covid, duke përfshirë sistemin VAERS dhe databazën e vetë Pfizer, nuk kishin ‘kapur’ një ‘sinjal’ të tillë. Sisteme homologe të shteteve të tjera nuk kanë vënë re ndonjë rrezik të shtuar për këtë lloj ishemie me vaksinat bivalente.
Sistemet e monitorimit si VSD janë të projektuar për të kapur një gamë të gjerë sinjalesh të mundshëm në mënyrë që shkencëtarët të mund të vlerësojnë nëse këto agjensi shtetërore duhet të ndryshojnë rekomandimet e tyre. Ky nuk është rasti i parë që një nga këto sisteme zbuloi një problem të mundshëm dhe shkencëtarët nuk gjetën prova se ky problem ishte shkaktuar nga vaksina.
Vlen të përmendet se, megjithëse konspiracionistët anti-vaksinë zakonisht refuzojnë të diferencojnë midis vaksinave anti-Covid në teoritë e tyre, ky sinjal për hetim ka të bëjë vetëm me vaksinën Pfizer-BioNTech.
Siç është e qartë nga shpjegimi i CDC, kjo agjenci nuk ka identifikuar asnjë lloj lidhje shkak-pasojë mes vaksinës anti-Covid dhe ishemisë.
Gjetjet e CDC tregojnë vetëm se të dhënat e mbledhura përmes VSD treguan se kërkuesit duhet të hetojnë nëse personat mbi 65 vjeç mund të kenë rrezik ishemie në javët e para pas një doze përforcuese me vaksinën bivalente Pfizer.
VSD gjeti se, nga gati 550 mijë persona mbi 65 vjeç, 130 pësuan ishemi brenda 3 javësh nga koha e vaksinimit. Asnjë nga ata nuk vdiq.
Siç theksohet dhe në deklratën e CDC, kjo agjensi nuk i ka ndryshuar rekomandimet për vaksinimin e personave mbi gjashtë muajsh. Studimet kanë treguar se vaksina anti-Covid në fakt mund t’a ulë rrezikun e ishemisë pas infektimit me Covid-19.