BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashI rremë raporti që konfirmon viktima mes trupave të NATO në Ukrainë

I rremë raporti që konfirmon viktima mes trupave të NATO në Ukrainë

Lajmi për mbi 2.500 viktima mes trupave ushtarake të NATO-s gjatë luftimeve në Ukrainë është i pabazë. Propaganda ruse po promovon një raport të rremë sekret të inteligjencës izraelite për të mbështetur idenë e përfshirjes së NATO-s në konflikt.

Postime në mediat sociale po qarkullojnë lajmin se mbi 2,500 ushtarë dhe trajnues ushtarakë të NATO-s ndodhen mes viktimave të konfliktit gati njëvjeçar në Ukrainë.

 “Viktimat e Ukrainës, e cila ishte në terren me 734,000 trupa (plus 100,000 ushtarë rezervë) dhe oficerë, ushtarë dhe mercenarë të NATO-s, si më poshtë vijon…”

Postimi i publikuar më 7 shkurt nga një përdorues i rrjetit social Facebook në gjuhën shqipe, rendit shifra të shumta të viktimave të ushtrisë ukrainase dhe “trupave të tjera” luftuese në Ukrainë.

Postimi ka marrë dhjetra komente dhe reagime nga përdorues të tjerë. Pretendimet, i referohen një artikulli që ka publikuar më 25 janar një faqe interneti turke e quajtur “Hurseda Haber”. Faqja e internetit, nga ana tjetër, citon të dhëna të supozuara nga Mossad, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Izraelite.

Nga verfikimet e kryera rezulton se këto janë informacione të pavërteta.

Postimet vijnë ndërsa forcat ruse po përparojnë drejt Bakhmut dhe Vugledar, dy qendra kyçe të luftimeve në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, që njihet si pika kryesore e ndërhyrjes së Rusisë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Rusia ka pësuar 180,000 të vrarë ose të plagosur në Ukrainë, ndërsa shifra për ukrainasit është 100,000 viktima ushtarake dhe 30,000 civilë të vdekur, referuar vlerësimeve që ka bërë shefi i ushtrisë norvegjeze në fund të janarit 2023.

Ndërsa në nëntor, shefi i Shtabit të Përbashkët të SHBA, Mark Milley tha se ushtria ruse kishte pësuar më shumë se 100,000 të vdekur ose të plagosur, me një numër “ndoshta” të ngjashëm në anën ukrainase.

Sigurisht shifrat e humbjeve nga të dyja palët janë subjekt i manipulimit për të mbajtur gjallë moralin e ushtrisë dhe civilëve, por ajo që është lehtësisht e verifikueshme në këto të “dhëna sekrete” të Mossad, të publikuara online, është numri i viktimave të ushtarëve të NATO-s.

Deri më sot NATO nuk ka zhvilluar asnjë ndërhyrje me trupat e saj në territorin ukrainas, pavarësisht se mund të ndihmojë me armë apo infrastrukturë tjetër të nevojshme forcat që luftojnë kundër pushtimit rus.

Kolegët tanë të AFP kanë marrë një konfirmim të mëtejshëm për këto pretendime nga NATO.

“Nuk ka trupa apo trajnues nën komandën e NATO-s në Ukrainë dhe asnjë personel i NATO-s nuk është vrarë në konflikt”, tha një zyrtar në organizatën me seli në Bruksel për AFP në një deklaratë të 6 shkurtit.

Ndërsa vendet anëtare i kanë dhënë Ukrainës armë, para dhe mbështetje logjistike, NATO thotë në faqen e saj të internetit se nuk po dërgon trupa në Ukrainë, sepse aleanca “ka përgjegjësi të sigurojë që kjo luftë të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës”.

 Verifikimi i mëtejshëm ka zbuluar se gazeta turke “Hurseda Haber” pretendon në mënyrë të pasaktë se “trajnuesit ushtarakë të NATO-, me kombësi amerikane dhe britanike kanë vdekur gjatë pushtimit rus të Ukrainës”. Edhe vetë gazeta në artikullin e saj, bën një dallim mes personelit të NATO-s dhe ushtarakëve të vendeve anëtare të Aleancës.

Ndërkohë ministritë e Mbrojtjes së të dyja vendeve, thonë se ky raport është i rremë. “Nuk ka anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan në Ukrainë,” tha Garron Garn, një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, në një email të 6 shkurtit për AFP.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu ka hedhur poshtë shifrat që qarkullojnë në internet. “Ky raport është i pasaktë. Asnjë personel i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nuk është vrarë në Ukrainë,” sqaroi ministria në një postim në Tëitter në 6 shkurt, duke iu përgjigjur postimeve në mediat ruse. Ministria e Mbrojtjes shtoi: “Trajnimi i rekrutëve ukrainas të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar po zhvillohet në territorin britanik.” Ndërkohë, SHBA ka trajnuar trupat ukrainase në një bazë në Gjermani.

Duhet pranuar se Ukraina ka krijuar një legjion ndërkombëtar për shtetas të huaj vullnetarë me shkallë të ndryshme të trajnimit të mëparshëm ushtarak. Disa qytetarë nga SHBA dhe Britania e Madhe kanë vdekur gjatë luftimeve, por ata nuk ishin pjesë e operacioneve zyrtare ushtarake të vendeve të tyre ose të NATO-s.

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img