Lajmi se kandidati për Tiranën Belind Këlliçi premtoi ndërtim pa leje në fshat është një keqintepretim. Në të vërtetë, Këlliçi premtoi se me fitoren e tij nuk do të nevojiteshin më leje për riparimet e ndërtesave në fshatrat e Tiranës.

——————————-

Në 10 maj, 4 ditë përpara zgjdhjeve vendore të 2023, një postim në Facebook i Abc News Albania citoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi, duke pretenduar se ai u kishte premtuar qytetarëve se në fshat do mund të ndërtonin pa leje, duke mjaftuar vetëm të njoftonin Bashkinë.

Megjithatë, vetë artikulli i Abc News, e përgënjeshtron titullin e postimit në Facebook duke dhënë citimin e plotë të Këlliçit ku ai thotë:

“Gjëja e parë që unë do të bëj do të jetë të lehtësojë procedurat për riparimin e shtëpijave tuaja, sepse është gjëja minimale që i takon fshatit në Tiranë dhe banorëve të komunave të Tiranës. Minimale, vetëm do njoftoni bashkinë”

Njësoj, edhe në videon e hedhur në Youtube nga Abc News, deklarohet se Këlliçi u ka premtuar banorëve në takimet në fshatrat Baldushk, Petrelë dhe Farkë, se do të mund të ndërtojnë pa leje.

Ndërkohë, që në sekondat e para të videos shfaqet Këlliçi duke thënë se “gjëja e parë që unë do të bëj do të jetë të lehtësojë procedurat për riparimin e shtëpijave tuaja”.

Në komentet e postimit, vetë përdoruesit kanë shprehur pakënaqësi me shtrembërimin e fjalëve të Këlliçit, duke i bërë thirrje medias të saktësojë lajmin.