BallinaPremtimeKarpeni, mes portit imagjinar dhe mundësive të pashfrytëzuara për zhvillim

Karpeni, mes portit imagjinar dhe mundësive të pashfrytëzuara për zhvillim

MERXHAN DACI & AURORA SHPATAJ

Në 21 korrik të vitit 2016, një projektligj me procedurë të përshpejtuar shkoi në Parlamentin e Shqipërisë për votim. Me këtë projektligj qeveria kërkonte miratimin me një procedurë “të veçantë” për negociatat me kompaninë britanike për portin e Karpenit.

Një kompani e vogël nga Mbretëria e Bashkuar e quajtur ‘Star Bridge Port Developments Limited’ dha një projekt-ide për të ndërtuar në Karpen të Kavajës, një port me vlerë 5 miliardë dollarë.

Kompania kishte një kapital prej vetëm 100 paundësh britanikë. Kjo e dhënë ngriti dyshimet në opinion publik se projekti nuk ishte serioz.

Edhe pse më herët ishte raportuar se qeveria dhe kompania nuk arritën dot të finalizonin një marrëveshje, kryeministri Rama konfirmoi së fundmi për mediat se ky projekt madhor nuk do të marrë jetë.

Kemi pasur edhe zmbrapsje, kemi pasur edhe zhgënjimet tona, përpjekje që nuk kanë konkluduar, siç është rasti i Karpenit”- tha ai.

Banorët e Karpenit për portin

Karpeni është një fshat që shtrihet buzë detit Adriatik dhe administrohet nga Bashkia Kavajë. Emigracioni ka bërë që në fshat të mbeten kryesisht moshat e mesme dhe të vjetra. Kur pyet në fshat se sa banorë kanë mbetur, na thonë: “Rreth 200 vetë.”

Bregdeti i Karpenit/Foto: Merxhan Daci

Banorët i kanë kryesisht sytë nga bujqësia, peshkimi dhe turizmi.

Të pyetur për projektin e portit, disa prej tyre shprehin zhgënjim për mos-realizmin, ndërsa të tjerë, të lehtësuar, sepse me përmbushjen e projektit do t’u  merreshin tokat dhe cënoheshin banesat.

Hyrja për në plazhin e Karpenit/Foto: Merxhan Daci

Milazim Krasniqi, 72 vjeç banor i Karpenit, i tha Faktojes se shpresonte që porti  të bëhej pasi do sillte zhvillim.

Po të bëhej do ishte diçka e madhe. Vetëm e shtetit leverdia do ishte e madhe. Kishim shpresa për portin. Do ishte pozitive”- tha ai.

Milazimi tregon se të jetosh në Karpen nuk është e thjeshtë.

Unë marr një herë në muaj KEMP, gruaja pension dhe një ndihmë ekonomike. Gjithë shpiat ktu janë bosh. Ne s’na ngelet veçse me ik në Itali te fëmijët. Unë kam bo 80 milionë lekë investim te shpia për turizëm, po sivjet s’pati”- tha ndër të tjera ai, teksa kishte dalë buzë detit.

Milazim Krasniqi/ Foto: Merxhan Daci

Ramazan Gashi, 61 vjeç, banor i Karpenit i tha Faktoje se nuk e ka besuar që në fillim projektin e portit.

Edhe në familje e kemi diskutu (kur doli si projekt), u thashë shifni punët e juaja sikur s’e keni dëgju fare. Nuk e besonim kurrë në botë. Se 30 vjet demokraci, pyeti banorët a keni ujë nëpër shpia? Po të tha njoni po… 30 vjet unë nuk kam ujë. Ne kemi bo puse për ujin. Jemi sipër ujtit e ujë s’kemi!”- tha Ramazani.

Ramazan Gashi/ Foto: Merxhan Daci

Daut Krasniqi, kryeplak i fshatit të Karpenit tha për Faktoje se në zonë ka shumë pak zhvillim.

Jemi zgjedh një nga 100 fshatrat, pritet zhvillimi, po të shohim tani. Nuk është bo asnjë projekt deri tashi. Ne presim të na rregullohen ca rrugë që shkojnë te plazhi, ca pastrime”- tha ai.

Mbetje urbane dhe një rrugë në Karpen

Haki Krasniqi, 62 vjeç i tha Faktojes se ai ka qenë kundër projektit të portit që në krye të herës.

Këtu zhvillim nuk ka, harroje! Kundër portit kanë qenë pothuajse të gjithë se do shembeshin lagje. Kshu thanë.”- tregoi ai.

Haki Krasniqi/ Foto: Merxhan Daci

Karpen/Foto: Merxhan Daci

Çfarë parashikonte projekti

Projekti quhej “Morgan” dhe parashikonte ndërtimin e një porti të ri gjigand në Karpen.

Porti do të shoqërohej edhe nga një TEC i madh me gaz, një stacion rigazifikimi dhe nga një zonë e madhe ekonomike prej 1.700 hektarësh.

Projekti llogariste një investim në total prej 5 miliardë USD për një periudhë 5-10 vjeçare.

Qëllimi kryesor ishte për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 metrash.

Zona e portit parashikohej të përbëhej nga ambientet mbështetëse magazina, terminale, qendër logjistike, nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti.

Sipas projektit, vetëm faza e ndërtimit planifikonte hapjen e 6.200 vendeve të reja pune.

Projekti i Portit të Karpenit

Në përfundim të projektit, parashikohej që gjithsej të gjeneroheshin 70.100 vende pune për ekonominë shqiptare, ironikisht një numër i barabartë me atë që parashikonte qeveria se do mbeteshin të papunë nga kriza e pandemisë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img