Në fushatën elektorale të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë Korçë, Sotiraq Filo u premtoi banorëve të fshatit Melçan zgjidhje përfundimtare për ujrat e zeza. Sipas Filos, investimi 8,5 milionë lekë do të shtrihej në çdo shtëpi. Verifikimet tregojnë se dhjetra banesa janë lënë jashtë projektit.
Esmeralda Topi
Në fushatën elektorale për mandatin e tij të tretë në krye të bashkisë së Korçës, kandidati socialist Sotiraq Filo, u premtoi banorëve të fshatit Melçan zgjidhje përfundimtare për ujërat e zeza.
“Sapo ka filluar në Melçan projekti i ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve. Janë rreth 2.5 km tubacione që do të shtrihen duke lidhur çdo banesë të Melçanit…” – premtoi Filo gjatë një takimi me banorët e fshatit në kulmin e fushatës.
Sipas tij, investimi përfshinte rrjetin e brendshëm të shkarkimit të ujërave të përdorura, pikë-lidhjet me objektet, kolektor kryesor dhe mini impiant trajtimi mekanik.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit Sotiraq Filo fitoi mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Korçës me 60.46% të votave. Në fshatin Melçan Filo mori 123 vota, kundrejt 87 votave të kandidates demokrate Ledina Aliolli.
Fakt
Punimet për kanalizimet e ujerave të ndotura përfunduan në tetor të vitit të kaluar. Por, banorët e fshatit ankohen se dhjetra shtëpi janë lënë jashtë projektit me vlerë 8,5 milionë lekë.
Nevruz Braimllari është një prej tyre. 80 vjeçari tregon se shtëpia e tij, bashkë me disa të tjera në lagjen që njihet si e“Përtejmit” nuk u shtri asnjë metër tub për kanalizime.
“Unë bëra fjalë kur po shtroheshin tubat, por s’më dëgjoi njëri. Këta bëjnë projekte dhe tallen me ne. Fusin lekat në xhep”, tregon Nevruzi.
“Vijnë marrin votën dhe ikin, ca i bëjnë e ca i lënë…” – përfundon me trishtim ai.
Edhe banorë të tjerë të fshatit pohojnë se projekti i kanalizimeve të ujrave të zeza mbulon vetëm një pjesë të banesave- të cilat vijojnë me gropa septike.
“Mini impianti në fshatin Melçan është i ndërtuar dhe funksional.”- thotë Bashkia e Korçës përmes një kërkesë për informim, pa dhënë sqarime se pse projekti ka devijuar dhjetra shtëpi.
Projekt elektoral
Punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në Melçan nisën një muaj përpara zgjedhjeve të 14 majit 2023.Sipas të dhënave nga Open Procurement.al, tenderi me procedurë të hapur përfshinte ‘Ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për ujrat e përdorura në fshatin Turan dhe Melçan’.
Fondi limit në dispozicion për këtë projekt ishte 12,233,087 lekë dhe tenderi u mbajt më 13 mars. Në garë morën pjesë nëntë kompani nga të cilat u përzgjodh fituese firma Nika shpk, shpallja e të cilës u bë më 20 prill. Referuar dokumentave, punimet për projektin parashikoheshin të nisnin menjëherë pas lidhjes së kontratës dhe të përfundonin brenda 140 ditëve kalendarike.
Verifikimet e Faktoje tregojnë se kontrata e punimeve u lidh më 26 prill, ose një ditë përpara inspektimit të zotit Filo në fshatin Melçan, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Kompania nisi punimet në terren një ditë pas lidhjes së kontratës, që përkoi edhe me vizitën e kandidatit socialist për Korçën në garën elektorale të 14 majit.
Përfundim
Nisur nga informacionet zyrtare dhe verifikimi në terren, premtimin elektoral të kryebashkiakut të Korçës për ‘shtrirje të rrjetit të kanalizimeve në çdo shtëpi të Melçanit’ do ta kategorizojmë si pjesërisht të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.