Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris bëri një lapsus gjatë fjalimit të saj në Baltimore, kur u shpreh për “reduktimin e popullsisë”. Faktoje sjell argumentet që vërtetojnë se kemi të bëjmë me gabim dhe kjo konfirmohet edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Një postim i shpërndarë në Facebook më 15 korrik, pretendon se zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka deklaruar se duhet të reduktohet popullsia në botë.
“Të reduktojmë popullsinë thotë kjo oskaristja (pra i bie edhe fëmijët) me qëllim që fëmijët që mbeten, të thithin ajër më të pastër”-shkruajnë përdorues në Facebook.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Shkak për këtë valë të re akuzash është bërë video e fjalimit të saj, teksa ajo deklaron ndër të tjera: “Nëse investojmë në energji të pastër dhe makina elektrike dhe reduktojmë popullsinë, fëmijët tanë do të thithin ajër të pastër”.
Deklarata e zv/presidentes amerikane nxiti shpejt teori konsiraptive, sipas të cilave elita globale punon pa u lodhur për të reduktuar në mënyrë drastike popullsinë njerëzore në botë në mënyrë që të monitorojë dhe kontrollojë më lehtë njerëzit.
Mirëpo, duket se gjatë fjalës së saj, Kamala Harris ka bërë një gafë dhe kjo konfirmohet edhe nga deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, ku jepet e plotë fjala e zv/presidentes. Zonja Harris ka dashur të thotë ‘ulni ndotjen’ dhe jo ‘zvogëloni popullsinë’. Transkripti i Shtëpisë së Bardhë tregon korrigjimin në kllapa së bashku me fjalën origjinale që tha zv/presidentja, së cilës i është vënë një vizë.
Teksti i publikuar nga Shtëpia e Bardhë
Gazeta konservatore “New York Post” raportoi për gabimin e zëvendëspresidentes, duke e quajtur atë një gafë dhe pranoi korrigjimin e Shtëpisë së Bardhë.
Në lidhje me këtë gabim, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj kolegëve të verifikimit të fakteve të “Lead Stories” dhe konfirmoi se Harris donte të thoshte “ndotje”.
Kjo deklaratë e zëvendëspresidentes amerikane, Kamala Harris është verifikuar si gafë edhe nga kolegët e tjera të organizatave fakt-verifikuese në botë.