.

.

BallinaFaktometerE vërtetëKadastra, makineri digjitale por me probleme!

Kadastra, makineri digjitale por me probleme!

Shërbimet online të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kanë vënë në sprovë durimin e qytetarëve. Prej tetë muajsh, ata përballen me ndërprerje të shërbimit online të Kadastrës, e vetmja mundësi për të ndërvepruar, prej fillimit të korrikut 2023. Shërbimet janë bllokuar herë pas here duke lënë pezull qindra aplikime. Bllokimi i fundit ndodhi në muajin shkurt dhe zgjati dy javë, siç e konfirmojnë agjencitë e pasurive të paluajtshme dhe zyrat noteriale. Dy institucionet përgjegjëse, Kadastra dhe AKSHI ia faturojnë problematikën njëra-tjetrës, duke lënë pa zgjidhje qytetarët. 

“Nga e hëna, 3 korrik, Kadastra do të jetë një makineri digjitale dhe punonjësit aty …nuk kanë më asnjë mundësi të bëjnë asgjë tjetër përveçse të bëjnë punën e tyre përpara një kompjuteri.”lajmëroi kryeministri Edi Rama vitin e kaluar, gjatë një takimi me drejtues dhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në kuadër të reformës për dixhitalizimin e Kadastrës. 

ÇFARË NDODHI? 

Pas datës 3 korrik të vitit 2023 sportelet fizike të Kadastrës u mbyllën dhe i gjithë sistemi kaloi online. Por revolucioni digjital që synonte të zhdukte korrupsionin me pronat, po i përball qytetarët me të tjera vështirësi. Herë pas here sistemi del jashtë funksioni duke lënë pezull aplikimet për shërbimet që ofron Kadastra.

Jo më larg se muajin e shkuar, sistemi online i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ishte jashtë funksioni. 

“Më duhej një certifikatë pronësie, sepse po aplikoja për të marrë një kredi në një bankë të nivelit të dytë, por sistemi ishte jashtë funksioni. Edhe pse kisha aplikuar me shërbimin e përshpejtuar “fast track” që kushton shumë më shtrenjtë m’u desh të prisja gjatë.”, na tregon Arbeni, një qytetar nga Tirana. 

Problemet me sistemin online të Kadastrës këtë herë zgjatën dy javë. Noterja Perian Bodinaku pohon se aktualisht shërbimet janë funksionale, por për një kohë të gjatë ndërprerja e shërbimit, shkaktoi kaos dhe vonesa për qytetarët. 

“Problemi kryesor në këto raste është ai i vonesave, sepse aplikimet që bëhen nga zyrat noteriale drejt Hipotekës janë me kontrata të ndryshme. Dhe problemet i hasin qytetarët, sepse vonesat rëndojnë tek ata.” shprehet Bodinaku. 

ASHK ‘LAN’ DUART, SISTEMI PËRGJEGJËSI E AKSHIT

Për të mësuar më shumë rreth situatës së përsëritur tek Kadastra, që ka vënë në vështirësi qindra qytetarë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës

Në vend të një përgjigjeje shteruese lidhur me problematikën e përsëritur, ASHK ia delegoi përgjegjësinë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

“Ju informojme se shërbimet e platformës elektronike e-albania, nuk menaxhohen nga ASHK, por nga AKSHI. Në lidhje me çdo kërkesë që mund të keni mund të drejtoheni pranë AKSHI për të marrë të dhënat e kërkuara.”– thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Kadastrës. 

Një javë më pas, edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk sqaroi se çfarë problemi kishte ndodhur me shërbimet online të Kadastrës. Më 8 mars, AKSHI na bëri me dije se shërbimet e Kadastrës ishin funksionale. 

shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që ofrohen për qytetarët, nëpërmjet platformës e-Albania, janë plotësisht funksionale.” – shkruhet në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

PROBLEM I PËRSËRITUR

Nga korriku i vitit të kaluar, sportelet fizike në Kadastër u mbyllën, duke kaluar çdo shërbim online. Por sistemi i ri shfaqi problemet e para pak ditë pasi ishte vënë në funksion. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama dhe drejtuesja e Kadastrës Dallandyshe Bici e mohuan kolapsin. Sipas tyre, sistemi funksiononte, por kishte shfaqur vonesa. 

“As nuk diskutohet që sistemi funksionon, nxjerr në kohë të dhëna, por jemi në fazën kur sistemi duhet nga njëra anë të mësohet nga ata që e përdorin dhe nga ana tjetër duhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën, noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër nuk kanë më pushtet mbi fatin e aplikimit të qytetarëve në Kadastër.”, arsyetonte kryeministri Edi Rama përballë gazetarëve. 

Ndërkohë, e vërteta është se prej korrikut 2023, qytetarët herë pas here përballen jo vetëm me vonesa, por edhe me mungesë shërbimi nga Agjencia Shtëtërore e Kadastrës. Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) thotë se sfidat dhe problemet lidhur me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë të përditshme. 

1. Mosrespektimi i afateve të aplikimit.

2. Mospasqyrimi i të dhënave në kartela , shpesh çmimi, paçka se ka një kontratë blerjeje shënohet 1 lekë. 

3. Lejimi i aplikimit te pjesshëm. Lejohet që kur kryhet një shitje, të aplikojë vetëm një nga palët blerëse. 

4. Vonesa të skajshme për kopje harte kadastrale.

5. Hipoteka u kërkon qytetarëve dokumenta të cilat i ka në arkivën e saj.

6. Hipoteka nuk zbaton asnjëherë detyrën e saj sipas Udhëzimi Nr. 1, datë 13.4.2016 pika 26.10 për shënimin e të dhënave për metrat e përbashkët ne kartelat e pasurisë.” – NAREA

Përfundim 

Qeveria vlerëson se revolucioni digjital në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ishte i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. PO! Por revolucione të tilla kërkojnë edhe sisteme të forta dhe të sigurta. Mbyllja e çdo sporteli të kadastrës shtetërore prej 3 Korrikut 2023 dhe ofrimi i shërbimit vetëm online nëpërmjet e-Albania kërkon një plan B në mënyrë që ‘kusuret’ të mos bien mbi qytetarët.

Lexo edhe: Shërbimet online, sfida e pakapërcyeshme për moshat e treta

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img