Një video që po qarkullon në rrjet pretendohet se tregon ushtarë izraelitë duke ngritur flamurin izraelit në spitalin Al Shifa të Gazës. Verifikimi i Faktoje zbuloi se godina ështe në të vërtetë një shkollë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gaza.

———————————–

Në rrjete sociale po qarkullon video e dy ushtarëve duke ngritur flamurin izraelit, një shenjë fitoreje pas një beteje, në çfarë pretendohet se është spitali Al Shifa në Gaza. Video shoqërohet me titullin “Forcat izraelite përpiqen të japin idenë e fitores, qoftë edhe mbi spitalet e Gazës”.

Trupat izraelite rrethuan kompleksin dhe gjithashtu morën nën kontroll spitalin Al Shifa në Gaza, më 15 nëntor, me pretendimin se ai fshihte një bazë të Hamas, duke shkaktuar zemërim në mbarë botën. Ushtria izraelite publikoi më pas edhe video të tuneleve që ndodheshin poshtë kompleksit spitalor, ku dyshohet se janë mbajtur që prej 7 tetorit pengjet izraelite nga Hamas.

Megjithatë, godina në video nuk tregon spitalin Al Shifa. Pamjet satelitore nga Google Maps nuk përkojnë me strukturën e godinës që shfaqet në video.

Më tej, në video mund të vërehet se në tarracën e godinës janë shkronjat “UN”, shkurt për United Nations, ose Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kjo sepse godina është në fakt një shkollë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Kjo gjë u konfirmua për Associated Press edhe nga një zëdhënëse e UNRWA.

Agjencia operon mbi 180 shkolla në Rripin e Gazës.

Kolegët e Logically Facts kanë arritur ta identifikojnë shkollën me anë të pamjeve satelitore, si Shkolla Parapërgatitëse për Djem e Gazës.

Ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë mbi 14,500 njerëz, dhe ka shkatërruar 266 shkolla, 26 spitale, dhe 55 qendra shëndetësore.

Të mërkurën, 22 nëntor, Izraeli dhe Hamas ranë dakord për të shkëmbyer një numër pengjesh, gjatë një armëpushimi 4 ditor që pritet të nisë të premten.