Pretendimi: Izraelitët ishin përgjegjës për sulmin kundër Kullave Binjake më 11 shtator 2001

Verdikti: E pavërtetë

———————————–

Këto kohë të rritjes së antisemitizmit në mbarë botën, përdorues të mediave sociale kanë rikthyer në vëmendje teoritë konspirative që i lidhin hebrenjtë me sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 në Neë York. Një numër postimesh insinuojnë se pesë izraelitë, që u ndaluan nga policia ditën e sulmit, ishin agjentë sekretë që pranuan se ndodheshin në ShBA për të dokumentuar aktin.

Kjo teori është aq e përhapur mes konspiracionistëve sa njihet me emrin teoria e “izraelitëve kërcimtarë”. Sipas saj, pesë burrat që kishin ndaluar makinën para shtëpisë së saj u entuziasmuan ndërsa shikonin kullat të shëmbeshin. Pas sinjalizimit të një gruaje shtëpiake që ndoqi skenën nga dritarja e shtëpisë së saj, FBI i ndaloi po atë ditë të rinjtë. Në makinë e tyre u gjet një shumë të hollash, disa pasaporta dhe mjete prerëse. Postimi në shqip, përfshin edhe gjetjen e mbetjeve të eksplozivit, por ky fakt duket se është shtuar me kalimin e kohës dhe transmetimit të historisë nga goja në gojë. 

Në të vërtetë, pesë izraelitë, Sivan Kurzberg, Paul Kurzberg, Omer Gavriel Marmari, Yaron Shmuel dhe Oded Ellner, u arrestuan ndërsa udhëtonin me makinë ditën e sulmeve të 11 shtatorit. 

Fotot e policisë pas ndalimit të pesë të rinjve izraelitë

Faqja e lajmeve The Gray Zone foli me një nga burrat izraelitë të përfshirë, i cili tregoi atë ditë fatale. Ai tha se ata ishin në punë kur u publikuan lajmet për sulmet dhe kur kuptuan se puna ishte anuluar, u nisën me makinë drejt Union City në New Jersey, për të parë më mirë nga një kodër në zonë atë që po ndodhte në Manhatan pas sulmit ndaj kullave binjake. Më pas, kur u përpoqën të ktheheshin në banesën e tyre të përbashkët në Brooklyn, u ndaluan në një postbllok policie ku u izoluan në një qendër ndalimi federale në Manhatan.

Siç raportoi në atë kohë New York Times, pesë burrat u kapën në rrjetën e gjerë të hedhur nga zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit, të etur për t’u parë publikisht se po ndërmerrnin veprime pas veprimeve të 11 shtatorit.

Ndërsa u arrestuan, zyrtarët e emigracionit amerikan zbuluan se ata kishin shkelur vizat e tyre dhe punonin ilegalisht për një kompani izraelite dërgesash të quajtur Urban Moving System. Kjo shpjegonte sipas tyre edhe pse kishin me vete në makinë mjete prerëse, të nevojshme në një shërbim transporti. 

Disa javë pas arrestimit, FBI deklaroi se kishte hetuar, por nuk kishte gjetur ndonjë lidhje mes tyre dhe sulmit terrorist. Pasi kaluan dy muaj në burg, ata u deportuan në Izrael. 

Personat në fjalë, bashkë me qeveritë amerikane dhe izraelite, vijojnë të mohojnë se ata ishin spiunë, dhe asnjeri i përfshirë në hetime nuk i ka lidhur izraelitët me sulmet terroriste të 11 shtatorit. 
Sulmet e 11 shtatorit lanë të vdekur gati 3 mijë persona, mbi 130 prej të cilëve ishin qytetarë izraelitë.