Ishull Shëngjini është një fshat i vogël në Njësinë Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë. Fshati turistik ndodhet vetëm 1.2 km larg qytetit të Lezhës. Një vend i qetë, por që gjatë natës mbetet pothuajse i errët për banorët e tij.
Në prill të vitit 2025, kryebashkiaku Pjerin Ndreu premtoi investime në ndriçimin rural.
“Do të shtrihemi në zona të thella rurale me ndriçim ku Ishull Shëngjini do të jetë ndër pikat kryesore të zbatimit të këtij projekti,” premtoi Ndreu, duke theksuar se projekti është pjesë e financimeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, disa muaj më vonë, banorët e Ishull Shëngjinit thonë se situata mbetet e vështirë. Gjatë verifikimit që Faktoje bëri më 14 tetor, ata shpjeguan se mungesa e ndriçimit e bën natën të rrezikshme.


“Nata është e rrezikshme sepse kalojnë makinat në rrugë dhe nuk dallohet gjë,” shprehet një banor.

“Shumë keq është situata me ndriçimin,” shton një tjetër.
Vëzhgimi i Faktoje në terren tregoi se vetëm rruga kryesore, që shkon drejt hyrjes së fshatit kishte disa shtylla ndriçimi.
Në të gjitha rrugët e tjera të fshatit, shtyllat ishin por mungonin llambat. Në vend të tyre kishte tela si rrjeta merimangash.
Plani i bashkisë
Në janar 2026, Bashkia Lezhë konfirmoi se projekti për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin ka kaluar fazën e prokurimit dhe pritet vlerësimi e lidhja e kontratës. Financimi është siguruar nga fondet e FSHZH-së dhe nga programi PROLIGHT Med, që synon mbulimin me ndriçim publik të të gjitha fshatrave.
Më herët në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se kishte aplikuar dhe fituar projektin ProLIGHTmed, pjesë e Programit Interreg Euro-MED 2021-2027.
Ky program, nën prioritetin “Më i Gjelbër MED”, synon të rrisë efikasitetin e energjisë dhe të përmirësojë ndriçimin publik në zonat rurale, duke nxitur hapësira më të gjelbra dhe më të sigurta për jetesën.
Plani i Bashkisë parashikon që gjatë viteve 2025 dhe 2026 të bëhen ndërhyrje në sistemin e ndriçimit në zonat me problematika, me fokus të veçantë në fshatrat rurale. Ishull Shëngjini është një nga pikat kyçe ku pritet të bëhen përmirësime konkrete.
Përfundim
Financimi për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin është siguruar nga fondet e FSHZH-së dhe programi PROLIGHT Med, ndërsa procedura e prokurimit është mbyllur dhe pritet faza e vlerësimit e lidhjes së kontratës. Kjo tregon se premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për investime në ndriçimin e Ishull Shëngjinit ka kaluar nga faza e planifikimit në realizim konkret, duke u konsideruar i mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Ky artikull ka pësuar ndryshime duke reflektuar informacionet e fundit të vëna në dispozicion nga Bashkia e Lezhës.
Fillimisht, kur artikulli u publikua në nëntor 2025, premtimi i kryebashkiakut u vlerësua si pjesërisht i mbajtur, pasi Bashkia nuk kishte projekt konkret për Ishull Shëngjinin.
Në janar 2026, bazuar në informacionet e reja të Bashkisë Lezhë mbi sigurimin e financimit dhe mbylljen e procedurës së prokurimit, kategorizimi i premtimit u ndryshua në: Premtim të mbajtur.
Përditësuar më 29/01/2026





