.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIranianët hakeruan emailet e 10 deputetëve, por jo të kryeministrit Rama

Iranianët hakeruan emailet e 10 deputetëve, por jo të kryeministrit Rama

Lajmi se grupi i hakerave Homeland Justice ka publikuar korrespondencën elektronike të kryeministrit Edi Rama është përhapur në rrjet së fundmi. Një shqyrtim i imtësishëm i emaileve të botuar nga Homeland Justice zbulon se nuk kemi të bëjmë me emailin e Ramës, por të adresave zyrtare të emailit të 10 deputetëve.

—————————–

Në 27 shkurt 2023, grupi i hakerave iranianë përgjegjës për sulmin kibernetik të vitit të kaluar, Homeland Justice, botoi në Telegram një skedar prej 1GB të quajtur “=rama MailBoxes”, ose “=rama KutitëPostare.”

Postimi i HomelandJustice

Ky publikim u shoqërua me artikuj nëpër media të ndryshme që jepnin lajmin se hakerat kishin nxjerrë të dhëna nga letërkëmbimi elektronik i kryeministrit.

Duket se këto artikuj janë mjaftuar me leximin e emrit që hakerat i kishin vendosur skedarit të botuar për t’u bindur se të dhënat e botuara janë vërtet posta elektronike e Ramës.

Skeptikë, “Faktoje” vendosi të shqyrtonte imtësisht të dhënat e botuara nga hakerat. Skedari i botuar përbëhet nga 10 dosje të cilat përmbajnë kutitë postare elektronike të adresave të emailit parlamentare të 10 deputetëve, në nisje të legjislaturës aktuale. 

Emailet në secilën prej këtyre dosjeve janë emaile që u janë dërguar këtyre adresave, apo emaile që këto adresa kanë dërguar.

Adresa e emailit të kryeministrit Rama shfaqet vetëm në emaile të dërguara në mënyrë kolektive, që i janë dërguar si njërit prej 10 deputetëve të mësipërm, dhe kryeministrit.

Adresa e kryeministrit shfaqet vetëm në emaile kolektive

Adresa e kryeministrit shfaqet vetëm në emaile kolektive

Kështu, Homeland Justice në të vërtetë ka botuar emailet e 10 deputetëve të mësipërm, dhe vetëm ato mesazhe që janë dërguar apo marrë nga adresa e tyre zyrtare e parlamentit. Të dhënat e botuara nga Homeland Justice përmbajnë emaile që i janë dërguar edhe kryeministrit Rama, vetëm në mënyrë rastësore, nëse emaili në fjalë i është dërguar edhe njërit nga këta deputetë, edhe Ramës. 

Përsa i përket fotove ilustruese që shoqërojnë artikujt dhe që shfaqin emaile të dërguar nga kryeministri Rama, ato i përkasin një publikimi të mëhershëm të të njëjtin grup në gusht 2022, kur rrodhën disa emaile në platformën e bashkëqeverisjes me informacione dhe ankesa të qytetarëve. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img