Ina Allkanjari
Rreth 13 mijë banorë të Bashkisë Shijak prej dekadash vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Kreu i Bashkisë Elton Arbana, në 26 shkurt garantoi se kësaj problematike 30 vjeccare do t’i jepej zgjidhje dhe çdo familje do të kishte ujë të pijshëm .“Faktoje” verifikoi në terren se pavarësisht se investimi për rrjetin e ujësjellësit të ri ka mbaruar, banorët shprehen se uji i pijshëm mungon dhe theskojnë se furnizohen me ujë, vetëm 3 orë në ditë.
—————————–
Furnizimi me ujë të pijshëm prej dekadash mbetet një problem për banorët e Shijakut. Më 26 shkurt kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana premtoi zgjidhjen e këtij problemit 30 vjeçar duke garantuar ujë të pijshëm për çdo familje.
Screenshot, postimi i kreut të Bashkisë Shijak, Elton Arbana
Dy muaj pas këtij premtimi, më 15 Prill, vetëm 10 ditë përapara zgjedhjeve parlamentare, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Facebook, kreu i bashkisë Shijak shkruan se po përfundon rrjeti i ujësjellësit në qytet dhe Njësitë Administrative.
Postimi i Kreut të Bashkisë Shijak në 15 Prill
“Faktoje”, dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Shijak, ku interesohej se kur do të përfundojë rrjeti i ujësjellësit dhe sa buxhet është alokuar për këtë projekt.
Kërkesa për Informacion Drejtuar Bashkisë Shijak, datë 17.08.2021
Në përgjigjen e saj në datë 30.08.2021, Bashkia Shijak na informon se ndërtimi për rrjetin e ujësjellësit për qytetin Shijak kanë përfunduar, ndërkohë po vijojnë procedurat për kolaudimin e punimeve. Më tej në përgjigje theksohet se buxheti për realizimin e projektit është akorduar nga Buxheti i Shtetit, Agjensia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe arrin vlerën 350.000.000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekë me TVSH.
Përgjigja e Bashkisë Shijak
Për tenderin e rrjetit të ujësjellësit për qytetit Shijak oferta fituese ka vlerën 276,533,198.6 Lekë pa TVSH, data e lidhjes së kontratës është 27 korrik 2020, me një kohëzgjatje 10 mujore.
Open Procurment Data, tenderi i ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit për qytetin e Shijakut
Rreth situatës së furnizimit të banorëve me ujë të pijshëm dhe nëse ka përfunduar rrjeti i ujësjellësit në Bashkinë Shijak dhe njësitë Administrative, kreu i bashkisë Shijak Elton Arbana u shpreh për Faktoje, se vijojnë procedurat për të përmirësuar furnizimin me ujë në këtë bashki, duke theksuar se kjo ka qenë vera e fundit që banorët kanë hasur këto lloje problemesh.
“Rreth 85% e banorëve në qytetin e Shijakut janë taksapagues të rregullt të faturës së ujit të pishëm, pra nuk ka qenë problem vendosja e matësve sesa ka qenë problem infrastruktura e amortizuar e brendshme e ujësjellësit. Tashmë kjo është rregulluar në qytetin e Shijakut, jo në njësinë administrative Maminas dhe më pas do të vijojë në pjesën tjetër që e kap Vora dhe Fushë-Kruja. Jemi munduar ta ndajmë në tre lote. Kjo ka qenë vera e fundit, pasi infrastruktura e brendshme e ujësjellsit në qytetin e Shijakut ka përfunduar, që përbën edhe vendosjet me matës përkatës. Tashmë do të kemi ujë më cilësor pasi kemi tubacionet e reja, amortizimi nuk do të jetë më, por edhe lidhjet e paligjshme që mund të kenë qenë do të evitohen”, deklaroi Arbana.
24 shtator 2021, lidhjet e rrjetit të ujësjellësit dhe matësit në qytetin e Shijakut
Në lidhje më problemet që kanë hasur përgjatë kësaj periudhe me ujin e pijshëm, Faktoje pyeti disa banorë të këtij qyteti.
“Tani është rregulluar, pasi më përpara skemi pasur ujë. Tani vjen rregullisht çdo ditë dhe është i pastër. Ujë 24 orë nuk kemi, qëndron rreth 2-3 orë në ditë. Por dhe kaq është mjaftueshëm pasi përpara muajit shtator na vinte njëherë në 2-3 ditë. Muaji gusht ka qenë i tmerrshëm, dhe kur vinte uji ishte shumë i papastër. Për rreth 3 muaj ishte i bashkuar me ujërat e zeza, thonë që e kanë gjetur defektin dhe tani uji duket i pastër nuk ka as aromë, por unë nuk e konsumoj”, shprehet për Faktoje banorja A.D. e lagjes “Popullore” në Shijak.
Një tjetër banor i qytetit të Shijakut i cili nuk pranoi të identifikohej, tregon për faktoje se prej vitesh është taksapagues i rregullt, por uji nuk është i pijshëm dhe vjen me orar.
“Situata e ujit është e tmerrshme. Uji vjen maksimumi 2 orë në ditë, shumë i papastër ndërkohë që lekët i paguajmë çdo muaj, uji nuk pihet. Çdo muaj unë paguaj rreth 1700 lekë faturë për ujin, këtë periudhë kanë vendosur matës, por ne s’kemi ujë dhe ai që vjen për pak orë nuk është i pijshëm, e pimë nga halli se s’kemi mundësi ekonomike ta blejmë”.
Lidhur me orarin e furnizimit me ujë në këtë bashki, pritet që Shijaku të furnizohet më ujë rreth 18 orë në ditë.
“E gjithë puna që po bëhet, infrastruktura e ujësjellësit të Shijakut, bashkë me të Maminasit dhe lotit të tretë që kap Vorën dhe Fushë-Krujën, do të bëjë që uji të jetë pa orar, sjellja e ujit pritet të jetë 18 orë nga 24 orë”, u shpreh kreu i bashkisë Shijak.
Sipas Raportit të Performancës për Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime 2020 i publikuar nga Enti Rregullator i Ujit i Shqipërisë, Qeveria qendrore nëpërmjet AKUM në objektivin e saj afatshkurtër ka që, nga 66 qendra urbane në vend, 52 prej tyre do të kenë furnizim me ujë pa ndërprerje deri në fund të vitit 2021 dhe 58 deri në fund të vitit 2023.
Në këtë raport për bashkinë Shijak mendohet, që në vitin 2021 banorët të furnizohen me 24 orë ujë në ditë.
Raporti i performancës për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime 2020
Problemin për furnizim me 24 orë ujë të pijshëm në Shqipëri, Faktoje e ndjek prej disa kohësh. Më shkurt 2020 “Faktoje” kërkoi nga 61 bashki të vendit informacion mbi investimet e fundit në rrjetin e furnizimit me ujë dhe sa orë ujë në ditë kanë qytetarët e secilës bashki.
Grafiku i orëve të furnizimit me ujë, bazuar në të dhënat e marra nga disa bashki në shkurt 2020
Nga informacioni zyrtar që morëm nga 25 Bashkitë për orarin e furnizimit me ujë, rezultoi se vetëm pesë prej tyre furnizohen me 24 orë pa ndërprerje. Bashkia Shijak në përgjigjen e saj një vit më parë shkruan se nuk ka investime të bëra së fundmi, gjë që reflektohet edhe në oraret e furnizimit me ujë, ku deklarohej 7 orën në ditë furnizim.
Lidhur nga të dhënat e mbledhura dhe nga vëzhgimi në terren, premtimin e Elton Arbanës për zgjidhje të problematikës së ujit të pijshëm në Shijak e kategorizojmë gjysmë të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.