BallinaAktualitetUltimatumi i Veliajt për autobusët e linjës TEG-Kopësht Zoologjik nuk e ndryshoi situatën

Ultimatumi i Veliajt për autobusët e linjës TEG-Kopësht Zoologjik nuk e ndryshoi situatën

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, dha ultimatum për linjën e transportit TEG-Kopshti Zoologjik, që nëse nuk zëvendësojnë mjetet e amortizuara deri me 30 Tetor, do t’u hiqej licenca. Faktoje, në 1 nëntor bëri një vëzhgim në terren ku konstatoi se kjo linjë përdor të njëjtët autobusë, që konsiderohen të rrezikshëm për mjedisin. Ndërkohë qytetarët ankohen se ajo që i shqetëson më shumë është vonesa që në disa raste shkon 1 orë deri në mbërritjen e autobusit të linjës.


 “Linja e kopshtit zoologjik- TEG nxjerr nga marmita kancer që e kam parë vetë, kjo ska lidhje fare me Covidin. Kjo ka të bëjë me mjete të amortizuara që janë skandal dhe kam lënë afat deri në datë 30 Tetor. Keni dhe pesë ditë kohë, do humbisni liçencën siç e humbi Ferluti. Pesë ditë kohë për të hequr kancerin se të rrish në këtë qytet se unë e kuptoj, nëqoftëse ti jeton në një qytet tjetër e vjen këtu vetëm për blozën e atyre autobuzëve të lodhur që keni po ti jeton këtu, ju jetoni këtu po minimalisht për fëmijët që keni në shtëpi si mund të dalë ai lloj mjeti.”- urdhëroi zoti Veliaj gjatë mbledhjes me operatorët.

Faktoje me datë 1 Nëntor, bëri një verifikim në stacionet ku ndalojnë autobusët e kësaj linje, për të verifikuar nëse janë zëvendësuar mjetet e transportit.

Nga ajo çfarë konstatuam në terren dhe nga komunikimi me qytetarët, linja në fjalë funksionon me të njëjtët autobusë.

Qytetarë që prisnin të merrnin autobusin e linjës pranë stacionin  pranë Piramiës thanë për Faktoje:

“Po ça kanë ndryshuar, të njëjtët janë. Madje tani janë rralluar se vijnë çdo 30 minuta e ne presim këtu.”- tregon një qytetare rreth të 50-ave.

Një tjetër qytetar, ndërkohë që pret autobusin thotë:

“Kam mbi 30 minuta që pres, urbani i TEG-ut nuk ka ardhur, deri më tani vetëm linja e Tiranës së Re. Kështu siç është nisur do përfundojmë duke shkuar në këmbë që të kapim orarin e punës, përndryshe do na pushojnë nga puna.”-shprehet një zotëri.

Nga stafi i autobusëve të kësaj linje, pranohet se numri i mjeteve në qarkullim për këtë linjë, është reduktuar ndjeshëm, 2-3 mjete. Deri më tani askush nuk konfirmon se ky reduktim ka ndodhur për shkak të amortizimit të autobusëve apo për shkak kostove të karburantit dhe mirëmbajtjes.

Foto e një autobusi të linjës së TEG-Kopshti Zoologjik, 1 nëntor 2021

Foto e autobusit të linjës TEG-Kopshit Zoologjik, 1 nëntor 2021

Verifikimi në terren, 5 ditë pas ultimatumit të kryebashkiakut Veliaj, tregoi se mjetet e transportit urban të kësaj linje nuk janë hequr nga qarkullimi apo zëvendësuar, ashu siç u urdhërua.

Linja TEG-Kopshti Zoologjik, rekord vonesash

Amortizimi i mjeteve dhe ndotja e mjedisit, siç konsideron bashkia, nuk është i vetmi problem i kësaj linje. Nëse pyet qytetarët që udhëtojnë rregullisht me autobusët e saj, ankohen se pritjet në stacion mund të shkojnë deri në 1 orë.

“Të dielën e kaluar, prita fiks një orë autobusin e TEG-Kopshti Zoologjik, tek stacioni te banka, këto ditë kam pritur 30-40  minuta.”-tha e revoltuar R. V, një 42 vjeçare.

Nisur nga ky shqetësim dhe pas njoftimeve të herë pas’hershme së bashkisë se po kryhet një studim me qëllim rritjen e cilësisë në shërbimin e transportit urban, Faktoje pyeti ndjekësit e saj në rrjetet sociale, nëse kanë vërejtur rritje të frekuenës së autobusëve të linjës TEG-Kopshti Zoologjik.

Screenshot i pyetësorit të zhvilluar online nga Faktoje

91% e votuesve u përgjigjën ‘JO.

Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion bashkisë Tiranë dhe Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, lidhur me situatën e krijuar me këtë linjë dhe jemi në pritje të përgjigjes zyrtare mbi vendimmarrjen.

Kërkesa dërguar Agjencisë e Mbrojtjes së Konsumatorit

Më herët, bashkia Tiranë vendosi heqjen e licencës për linjën urbane të Unazës, për të cilën sipas ZMK kishte pasur dhjetëra ankesa nga qytetarët.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img