Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin Edi Rama duke u puthur me Lulzim Bashën
Verdikti: Gjeneruar me AI
—————————————-
Një video që ka marrë mbi 6 mijë shikime në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon kryeministrin Edi Rama duke puthur ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Klipi i mësipërm shfaq momentin e famshëm kur Rama dhe Basha po pyeten nga media pas arritjes së një marrëveshjeje mbi zgjedhjet dhe qeverinë teknike më 17 maj 2017. Kjo marrëveshje i dha fund protestës 3 mujore të opozitës në çadrën e ngritur përpara kryeministrisë dhe bojkotit të zgjedhjeve prej saj.
Në një video më të gjatë të së njejtës mbrëmje nuk gjendet klipi i mësipërm që tregon dy burrat duke u puthur.
Kjo sepse video e mësipërme është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), me anë të të cilave mund të krijohet një video e animuar nga një imazh.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë video të gjeneruara në këtë mënyrë, të cilat ndahen nga portale apo përdorues të ndryshëm në rrjet pa shënuar origjinën e tyre nga programet kompjuterike duke rrezikuar të dezinformojnë publikun.
Për të treguar sa e thjeshtë është të gjenerosh video të tilla, ne përdorëm një foto nga 1956 të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe një prej miqve të tij të afërt, diktatori kinez Mao Ce Dun. Programi AI, i cili është falas për t’u përdorur, gjeneroi këtë video romantike.