Pretendimi: Kongresi amerikan do të miratojë një ligj që do të kriminalizonte ngritjen e pyetjeve rreth 11 shtatorit 2001.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, pretendon se tregon një artikull të tabloidit amerikan New York Post, për një projektligj që pritet të votohet në Kongresin amerikan që do të ndalonte pyetjet rreth ngjarjeve të 11 shtatorit 2001.

Titulli i artikullit të pretenduar është “Kongresi do të votojë një projektligj që do të kriminalizonte dyshimin e ngjarjeve rreth 11 shtatorit.”

“Me mbështetje të fortë nga AIPAC dhe ADL, Kongresi do të votojë një projekt-ligj që do të kriminalizonte çdo vënie në dyshim të ngjarjeve që ndodhën gjatë sulmeve të 11 shtatorit,” thotë teksti i artikullit, duke iu referuar një grupi lobues politik pro-izraelit dhe një organizatë hebreje për të drejtat civile.

Postimet pretendojnë se legjislacioni do të vendosë një gjobë 10,000 dollarë dhe pesë vjet burg për çdo person që “vë në dyshim ose sfidon narrativën zyrtare” të sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Një kërkim në faqen zyrtare të Kongresit Amerikan tregon se Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po shqyrtojnë aktualisht 12 dokumente legjislative të propozuara që përmendin sulmet e 11 shtatorit 2001 gjatë sesionit 2023-2024. Ato përfshijnë një lëvizje për të zgjeruar kualifikueshmërinë në programet që mbështesin shëndetin e reaguesve të parë në 11 shtator dhe një për të ofruar fonde për Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit.

Asnjë nga projektligjet apo rezolutat nuk përmend ndëshkimin e atyre që vënë në dyshim konsensusin rreth sulmeve.

Një zëdhënës i Lidhjes Anti-Shpifje (ADL) tha për AFP se postimet ishin “një mashtrim i plotë” dhe se organizata nuk ka mbështetur kurrë një ligj që do të gjobiste ose burgoste njerëzit për pyetje rreth sulmeve të 11 shtatorit. Një zëdhënës i Komitetit të Marrëdhënieve Publike të Amerikës dhe Izraelit (AIPAC) mohoi gjithashtu se organizata kishte mbështetur ndonjëherë një projektligj të tillë.

Iva Benson, zëdhënësja e New York Post, tha për AFP se imazhi që qarkullon në rrjete sociale është “qartësisht i rremë” dhe se artikulli “nuk është botuar në Post”.

Benson tha gjithashtu se detajet në imazh vijnë nga një artikull i botuar në të njëjtën ditë, por që nuk ka lidhje me 11 shtatorin.

Të njëjtët katër autorë janë përmendur në një artikull të botuar në të njëjtën ditë dhe orë, por që raportonte për përmbysjen e dënimit të producentit Harvey Weinstein për krime seksual në 2020.

Dallimet stilistike dhe formatuese gjithashtu tregojnë se imazhi është i rremë.

Në artikullin e rremë, titulli është shkruar me të gjitha kapitale, dhe fonti nuk përputhet me atë të përdorur nga New York Post.

Artikull i vërtetë i NY Post (majtas) dhe artikulli i rremë (djathtas)