BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFabrika e djegur në Berlin nuk prodhonte raketa për Ukrainën

Fabrika e djegur në Berlin nuk prodhonte raketa për Ukrainën

Pretendimi: Digjet në Gjermani fabrika që prodhon raketa për Ukrainën. Mund të jetë dora e rusëve

Verdikti: Mungon konteksti

Vjolanda Peca

Zjarri i fuqishëm që shpërtheu në 3 maj në një komples industrial në Berlin krijoi panik dhe detyroi evakuimin e mijëra banorëve. Megjithatë, detaji që i dha lajmit përmasa ndërkombëtare ishte fakti që fabrika në flakë prodhonte raketa që furnizojnë Ukrainën.

Një sërë mediash shqiptare e ndanë lajmin për “zjarrin në një fabrikë kimike në Berlin, e cila prodhon raketa ajrore IRIS-T për Ukrainën”. Pjesë e intrigimit për publikun ishte dhe përfshirja e dorës ruse pas kësaj ngjarjeje.

Verifikimet zbulojnë se zjarri nuk preku fabrikën e raketave ushtarake, por një kompleks simotër të saj. Më konkretisht, pronarja e kompleksit në flakë, korporata Diehl, përfshin një sërë fabrikash prodhimi si Diehl Metal, Diel Defence, Diehl Aviation, Diehl Controls, Diehl Metering dhe dhjetëra njësi më të vogla prodhimi.

Zjarri ra në kompleksin Diehl Metal, në zonën Am Stichkanal në distriktin Berlin-Lichtefelde, në perëndim të kryeqytetit gjerman.  Kjo fabrikë merret me përpunimin e bakrit dhe prodhime profilesh të stampuara në industrinë automobilistike dhe me gjerë.

Ndërkohë, raketat IRIS-T, të cilat furnizojnë Ukrainën, prodhohen nga fabrika simotër, e quajtur Diehl Defence. Vetë kompania dhe autoritet konfirmuan se nuk është prekur nga zjarri sistemi i prodhimit të armëve të sistemit mbrojtës raketor.

Diehl Defence prodhon veçanërisht sistemin i mbrojtjes kundërajrore IRIS-T SLM, e cilësuar si zemra e inteligjencës strategjike të vendeve të NATO-s në Europë, dhe të cilin Gjermania ia ka ofruar ushtrisë ukrainase për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse. Një bateri IRIS-T SLM, e furnizuar nga Gjermania në Ukrainë, përbëhet nga tre lëshues të montuar në kamion, që mbajnë tetë raketa secila me një rreze veprimi prej 40 kilometrash.

Mbetet ende për t’u verifikuar shkaku i zjarrit, por deri tani autoritetet nuk kanë ngritur ndonjë dyshim për një zjarr të qëllimshëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img