Forumi Ekonomik Botëror nuk ka këshilluar legalizimin e martesave mes njerëzve dhe kafshëve. Zëdhënës të WEF e kanë quajtur këtë pretendim të rremë, dhe me qëllim diskreditimin e organizatës.

—————————————

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet pretendimi se “Forumi Ekonomik Botëror tani po bën thirrje që njerëzit të kenë të drejtën të martohen me kafshët për të promovuar diversitetin dhe përfshirjen.” Për më tepër, pretendohet se Spanja ka miratuar tashmë legjislacionin që do t’i hapte rrugën kësaj nisme.

Duket se ky pretendim e ka origjinën në një artikull të 1 marsit 2023 në portalin amerikan NewsPunch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Duket se këto pretendime janë frymëzuar nga një projektligj i propozuar në Spanjë që ka të bëjë me parandalimin e abuzimit me kafshët. 

Në Shkurt 2023, një nga dy dhomat e parlamentit spanjoll miratoi një amendament të kodit kriminal që ndëshkon abuzimet me kafshët. Ekspertët ligjorë spanjollë mohojnë se këto ndryshime legalizojnë apo dekriminalizojnë marrëdhëniet seksuale me kafshët. Megjithatë, disa kanë shprehur shqetësimin se formulimi i ligjit mund, teorikisht, ta bëjë më të vështirë dënimin e disa individëve për veprime seksuale me kafshë.

Megjithatë, në Mars 2023, dhoma e Senatit e hodhi poshtë këtë propozim me 176 vota kundër.

Sa i përket pretendimit se legalizimi i martesës me kafshë është direktivë e Forumit Ekonomik Botëror (WEF), duket se ai është krejtësisht i shpikur. Artikulli nuk jep asnjë provë apo burim për këtë pretendim.

Një zëdhënës i WEF tha për Snopes se “kjo është një histori e rreme që ka për qëllim të diskreditojë punën e rëndësishme që Forumi Ekonomik Botëror bën mbi sfida serioze botërore. WEF nuk ka bërë kurrë kësi pretendimesh dhe nuk ka as autoritet dhe as qëllim të urdhërojë qeveritë dhe institucione apo individë të tjerë.”