Së fundmi, interneti u “ndez” nga pretendimi i çuditshëm se Suedia e kishte shpallur seksin një sport dhe po organizonte një kampionat kombëtar njësoj si çdo sport tjetër zyrtar. “Faktoje” verifikoi se i gjithë ky informacion që qarkulloi online është i rremë.
——————————————————————
“Suedia e ka shpallur zyrtarisht seksin si sport. “Kampionati Evropian i Seksit’, do të fillojë më 8 qershor dhe do të zgjasë për gjashtë javë. Garuesit, do të përfshihen në seanca seksi, të cilat mund të zgjasin deri në gjashtë orë në ditë”- shkruan “Radio Dukagjini”.
Screenshot, postimi i “Radio Dukagjini” në Facebook
Artikulli është shpërndarë edhe në portale të tjera si: “Historia shqiptare”, “Zjarr Tv”, “Iconstyle”, “Stop “, “Tv Gjilani”.
Por, cila ishte zanafilla e këtij lajmi? Referuar informacioneve në mediat ndërkombëtare, një nga të përditshmet suedeze “Göteborgs-Posten” ka raportuar se pas këtij artikulli që bëri xhiron e mediave në botë qëndron një suedez i quajtur Dragan Bratic.
Sipas gazetës suedeze, Bratiç zotëron disa klube striptizmi dhe donte që seksi të klasifikohej si sport. Në janar të këtij viti, ai ka paraqitur kërkesën për t’u bërë anëtar i Konfederatës Suedeze të Sporteve. Në lidhje me këtë çështje, vetë Konfederata konfirmoi për “Deutsche Welle” se Bratic paraqiti një kërkesë për regjistrim, por aplikimi u refuzua në muajin maj.
Zëdhënësja e e Konfederatës Suedeze të Sporteve, Anna Setzman, në një deklaratë me shkrim nga Stokholmi për gjigandin gjerman, DW theksoi: “Konfederata Suedeze e Sporteve ka tërhequr vëmendjen për faktin se në disa pjesë të mediave ndërkombëtare po përhapen lajmet se një federatë seksi është bërë anëtare e Konfederatës Suedeze të Sporteve. Nuk ka asnjë federatë seksi që është anëtare e Konfederatës Suedeze të Sporteve. Është informacion i rremë me qëllim që të njolloset sporti suedez dhe Suedia”.
Sipas gazetës suedeze Göteborgs-Posten, beteja për njohjen e seksit si një sport konkurrues ishte nisur nga Dragan Bratic, pronar i disa klubeve striptizmi në qytetin suedez të Jönköping.
E kontaktuar nga kolegët indianë të “NewsChecker”, e ashtuquajtura “federata suedeze e seksit” e themeluar nga Bratiç shpjegoi se, pavarësisht refuzimit dhe pamundësisë për ta konsideruar veten një sport në të gjitha aspektet: “kampionati europian i seksit ekziston dhe do të fillojë më 8 qershor në Suedi”.
Ndërsa, në një deklaratë për DW, organizata e tij pretendon se: “Federata Suedeze e Seksit financon të gjithë Kampionatin Evropian me fondet e veta dhe me punën e saj vullnetare”. Sigurisht, promocioni i këtij lajmi në mediat e gjithë botës i ka shërbyer pronarit të klubeve të striptizmit për të reklamuar biznesin e tij dhe rritur klientelën.
Artikulli i shpërndarë në mediat e huaja në lidhje me kampionatin e seksit në Suedi është verfikuar nga shumë organizata, ku ka rezultuar se kemi të bëjmë me një informacion të rremë.