Lajmi se kryeministri Edi Rama ka pësuar atak kardiak pasi humbi një shumë të madhe parash në bixhoz është i pavërtetë.
Një postim i faqes në Facebook Janina Televizion pretendon se “Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga vesi i Kumarit, pasi la miliona Dollarë pak ditë më parë në Bursë nuk ve mënd”. Postimi shoqërohet edhe me një imazh që duket se tregon Ramën duke dalë nga një kazino.

Megjithëse postimi nuk jep asnjë provë, pretendimi se kryeministri i një vendi po luan kumar në Frankfurt gjatë një fushate elektorale duket i pabesueshëm, dhe imazhi i bashkëngjitur postimit dallohet lehtësisht se është manipuluar, postimi është shpërndarë mbi 200 herë.
Si rrjedhojë, “Faktoje” vendosi të verifikojë pretendimin e Janina Televizion.
Pretendimet e çuditshme të postimit të mësipërm faqja nuk i mbështet me asnjë provë. Në një pikë, përmenden pamje nga kamera sigurie, por këto nuk paraqiten në postim.
Ndërsa imazhi i bashkëngjitur postimit është qartazi i manipuluar, siç duket në një pjesë të fotos në personin krah Ramës e cila nuk është prerë mirë, si dhe mospërputhja e ndriçimit. Foto e Ramës dhe dy personave pranë tij është shkrepur gjatë ditës, sepse duket që burimi i dritës është nga lart. Ndërkohë që fotoja e kazinosë pas tyre është shkrepur gjatë natës.

Për më tepër, nga një kërkim me motorin e kërkimit të imazheve Google rezulton se foto e kazinosë është marrë nga interneti. Kazinoja në fjalë, Casino Barrière de Niederbronn, gjendet në Francë, dhe jo në Frankfurt ku pretendon postimi se Rama ka humbur paratë.

