Lajmi se presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka vdekur nga një infarkt më 2 korrik 2023 është i rremë. 

———————————-

Javën e kaluar, në rrjetet sociale shqipfolëse, qarkulloi pretendimi se presidenti amerikan Joe Biden kishte pësuar një infarkt në zemër në 2 korrik e, si pasojë, kishte gjetur vdekjen.

Pretendimi shoqërohet me një tekst në spanjisht që përkthehet si më poshtë:

“Joe Biden, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë në 2 korrik 2023 në moshën 80-vjeçare. Lindi në 20 nëntor 1942 në Scranton, Pensilvani. 1 Nëna e Joe Biden, Jean Biden, që e rriti të besonte në ‘parimin e Shteteve të Bashkuara… të gjithë janë të barabartë’, vdiq në Wilmington, DelaWare, në moshën 92-vjeçare. I ati i Joe Biden, Joseph Biden Sr., vdiq në 2002 në moshën 86-vjeçare. Gjyshi i Joe Biden, Joseph H. Biden, një drejtor kompanie nafte, vdiq në 26 shtator 1941 në Spitalin Johns Hopkins të Baltimore. 2 Djali i madh i Joe Biden, Beau Biden, humbi jetën në 2015 nga kanceri në tru. Nuk ka prova që Joe Biden kishte vdekur dhe ishte zëvendësuar.”

Siç vërehet, teksti që sillet si ‘provë’ për këtë pretendim, dhe etiketohet si ‘raport’, nis me një gabim trashanik, duke e quajtur Biden zëvendëspresidentin e ShBA. 

Megjithëse Biden ka shërbyer vërtet si zëvendëspresident i 47 i vendit, këtë e ka bërë gjatë mandatit të presidentit Obama, nga viti 2009 në 2017. Biden u betua si presidenti i 46 i ShBA në Janar 2021.

Dy vite më vonë, paçka spekulimeve të shumta për shëndetin e tij, të nxitura pjesërisht nga mosha e tij e madhe, Biden është vlerësuar si i shëndetshëm nga doktori i Shtëpisë së Bardhë. Pas disa orësh analizash dhe vizitash, Dr. Kevin O’Connor deklaroi, në Shkurt 2023, se Biden është një “80-vjeçar i shëndetshëm dhe i fuqishëm” i cili është “i aftë të kryejë detyrat e presidentit në mënyrë të suksesshme.”

Nëse Biden ka vdekur në 2 korrik 2023, duket se kufoma e tij ende nuk ka gjetur prehje. Sipas faqes zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, që në 2 korrik Biden i është dashur të flasë në telefon me kryeministrin grek Mitsotakis. Ndërsa në 4 korrik, Biden festoi Ditën e Pavarësisë së ShBA me disa familje ushtarake në një festë në Lëndinën Jugore të Shtëpisë së Bardhë. Në 6 korrik, ai takoi kryeministrin suedez Ulf Kristersson, dhe më pas shpalosi planin e tij për ekonominë, të pagëzuar “Bidenomics”, në Karolinën e Jugut. Në 7 korrik, Biden pati një intervistë me CNN me gazetarin Fareed Zakaria. Të dielën, më 9 korrik, kufoma e Biden u nis për në Europë për një turne vizitash dhe një samit të NATO në Lituani. Në 10 korrik, ai u takua me kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe mbretin Charles në Londër.

Biden takon mbretin Charles, 10 korrik 2023

Biden takon kryeministrin Rishi Sunak, 10 korrik 2023

Nëse Biden vdiq nga një infarkt në zemër në 2 korrik 2023, askush nga qindra njerëzit që ai takoi në javën në vijim nuk duket se e vuri re këtë.