Papa Francesku nuk ka emëruar Alex Soros si kardinal të Kishës Katolike, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në portale në vendin tonë. Informacionet e publikuara janë të pabaza dhe sipas verifikimeve të kryera, për t’u bërë kardinal ka rregulla strikte.
Lajme të publikuara në mediat shqiptare pretendojnë se Papa Francesku ka emëruar Alex Soros si kardinal të Kishës Katolike.
“Elita Globale ‘gllabëroi’ dhe Vatikanin: Papa Françesku emëron si kardinal të Kishës djalin e manjatit George Soros”-shkruajnë portalet.
Lajmi i shpërndarë në mediat shqiptare
Nëse do shohim në brendësi të artikullit vihet re se nuk ka asnjë burim ku është bazuar kjo media mbi këtë informacion të publikuar, por shkruan: “Lajmi ka rënë si bombë në mullinjtë e thashethemeve të Vatikanit…” Ka dhe nga ata komentues që e kanë besuar këtë lajm duke shprehur habinë e tyre.
Fillimisht ne bëmë një kërkim duke iu referuar informacioneve në mediat ndërkombëtare, por nuk kishte asnjë lajm që Alex Soros, ishte emëruar kardinal i kishës Katolike.
Në disa faqe në gjuhën italiane, lajmi është përgënjeshtruar, duke e cilësuar si një fantazi të sëmurë mbi kardinalët dhe Papën dhe apeluar që të mos u lihet hapësirë atyre që mbjellin përçarje nëpërmjet informacioneve të rreme.
“Elementi i vetëm që lidh Papën me 38-vjeçarin Alexander Soros, me origjinë hebreje, është fakti se ky i fundit ishte një nga 12 anëtarët e delegacionit të pranuar në audiencën private në Casa Santa Marta, bashkë me Bill Clinton në 5 korrikun e vitit të shkuar”, raportohet në faqet në gjuhën italiane.
Por, cilat janë kriteret për t’u bërë kardinal?
Kodi i së drejtës kanonike të Kishës përcakton si kriter: “Ata që promovohen si kardinalë janë burra të zgjedhur lirisht nga Papa Romak, të cilët janë të paktën në rendin e presbiteral (hierarkinë klerike) dhe shquhen për doktrinën, moralin, devotshmërinë dhe maturinë e tyre në veprim”.
Gjithashtu, shumica e kardinalëve janë peshkopë dhe kryepeshkopë që udhëheqin dioqezat dhe kryepeshkopatat në mbarë botën.
“Kodi i së drejtës kanonike të vitit 1917 urdhëroi që të gjithë kardinalët, madje edhe dhjakët kardinalë, duhej të ishin priftërinj dhe, në vitin 1962, Papa Gjon XXIII vendosi normën që të gjithë kardinalët të shuguroheshin si peshkopë, edhe nëse ata janë vetëm priftërinj në kohën e emërimit.
Si pasojë e këtyre dy ndryshimeve, ligji kishtar 351 i Kodit të së Drejtës Kanonike të vitit 1983 kërkon që një kardinal të jetë të paktën në rendin e priftërisë në emërimin e tij dhe që ata që nuk janë tashmë peshkopë duhet të marrin shenjtërimin ipeshkvnor”, përcaktohet ndër të tjera në kriteret për t’u bërë kardinal.