Arrestimi i mjekut Pëllumb Pipero gjatë një interviste në TV Klan, është një nga mashtrimet e përdorura nga marketingu online i produkteve mjekësore të dyshimta. “Faktoje” verifikoi një tjetër rast të përdorimit të imazhit të personave të njohur pa dijeninë e tyre.
Esmeralda Topi
Imazhet e mjekëve të njohur vijojnë të përdoren nga portalet për të bërë të besueshme këshilla mjekësore që rekomandojnë blerjen e produkteve të palicensuara. Një faqe interneti, e ndërtuar si një kopje e faqes së internetit të televizionit kombëtar Klan, publikoi në 4 shtator lajmin e arrestimit nga policia të mjekut të njohur infeksionist Pëllumb Pipero. “Profesori i njohur shqiptar Pipero u ndalua nga policia në televizionin live teksa po përpiqej të zbulonte sekretet e tmerrshme të mjekvëe dhe farmacive”, shkruhet në titullin që shoqëron foton e mjekut të prangosur nga dy policë.
Artikulli vijon më tej edhe me një intervistë të realizuar nga gazetari dhe spikeri tashmë ikonë i TV Klan, Reis Çiço me mjekun Pipero mbi mrekullitë e medikamentit të reklamuar.
I gjithë skenari është ndërtuar me mjeshtëri për të bërë të besueshme këtë lajm dhe tërhequr lexuesit drejt qëllimit kryesor, blerjes së produktit që reklamohet për pastrimin e venave.
Megjithatë, një sy i mprehtë mund të dallojë disa detaje që bëjnë të dyshosh në vërtetësinë e lajmit. Policët që shoqërojnë mjekun Pipero në foto, kanë uniforma që nuk i përkasin policisë shqiptare; mjeku Pipero, shfaqet në shkrim si kirurg zemre edhe pse është mjek infeksionist; foto e Reis Çiços është ajo e kolegut tepër më të ri në moshë në TV Klan Redi Prifti, dhe kështu shkrimi vijon me shumë gabime të tjera që të bëjnë të kuptosh se autorët e këtij marketingu mashtrues kanë qënë shumë krijues, por për fat të mirë, nuk e njohin si duhet realitetin shqiptar.
“Faktoje” kontaktoi me mjekun Pëllumb Pipero, i cili u bën thirrje lexuesve të mos bien pre e këtyre skemave mashtruese.
“Këto lajme që qarkullojnë tani përmes portaleve apo në Facebook janë të pavërteta, gënjeshtra totalisht. Nuk duhen marrë parasysh nga qytetarët. Të shiten në treg këto paccavure që nuk kanë asnjë lidhje me sëmundjet, madje janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Një dëm i pallogaritshëm.”- thekson mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.
Këto janë skemat më të përdorura të mashtrimit të njerëzve online. Për të njëjtin produkt, “Faktoje” më herët ka bërë një verifikim në të cilin Agjencia Kombëtare e Barnave sqaronte se “Hypertea” është një shtesë ushqimore dhe jo medikament. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma theksonte se: “Unë jam e bindur që nuk ka mjek që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve”.
Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dezinformojnë lexuesit, duke përdorur intervista të rreme për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.