Një ditë pas prezantimit të programit të ri të strehimit, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dha më shumë detaje mbi afatet dhe mënyrën e zbatimit të skemës.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se paketa ligjore për këtë program pritet të miratohet në fillim të tetorit, ndërsa thirrjet për përfituesit do të hapen brenda këtij viti.
Për shkak të procesit administrativ të shqyrtimit të aplikimeve, fituesit pritet të shpallen në fillim të vitit 2027.
E pyetur nëse paketa e re e strehimit lidhet me qëllime elektorale, referuar zgjedhjeve vendore vitin e ardhshëm, ministrja e mohoi këtë duke argumentuar se zbatimi i saj nis përpara vitit 2027.
“S’do të hyjë në fuqi në 2027. Paketa ligjore miratohet në fillim të tetorit. Thirrjet do të hapen po gjatë vitit aktual. Duke qenë se ka proces administrativ për menaxhimin e thirrjeve, fituesit do t’i shpallim në fillim të vitit 2027”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se strehimi ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste, dhe sipas saj jo çdo politikë e qeverisë duhet të lidhet me zgjedhjet.
“Ky nuk është program elektoral, zgjedhje ka çdo dy vjet. Çdo politikë që ne bëjmë, s’duhet ta lidhim domosdoshmërisht me programet elektorale”, deklaroi Ibrahimaj.
Financimi do të kalojë përmes Fondit Kombëtar të Strehimit, buxheti i shtetit dhe mekanizma të tjerë financimi, përfshirë Bankën Europiane të Investimeve.
“Apartamente ka në periferi të Tiranës”
Një nga deklaratat që sjell një sqarim të ri pas prezantimit të programit lidhet me apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro.
Rama tha një ditë më parë se përmes skemës së re do të ketë mundësi për kredi me interes zero për blerjen e apartamenteve deri në këtë vlerë, ndërsa Ibrahimaj u pyet konkretisht se ku mund të gjenden banesa të tilla në Tiranë.
“Ka në periferi të Tiranës, janë apartamente të sipërfaqeve të vogla, nuk i dedikohen familjeve të mëdha”, tha Ibrahimaj duke argumentuar se kjo është edhe arsyeja pse skema synon veçanërisht profesionistët e rinj që sapo kanë përfunduar studimet dhe çiftet e reja.
“Ndaj thashë ky program i dedikohet profesionistëve që sapo kanë mbaruar studimet dhe duan të jetojnë pranë vendit të punës. Është një proces që ndodh në të gjitha vendet e botës”, shtoi ajo.
Sqarimi e zhvendos diskutimin nga shifra prej 60 mijë eurosh te realiteti i banesës që mund të blihet me këtë vlerë.
Pra, bëhet fjalë për apartamente të vogla dhe jo për banesa në zonat qendrore të Tiranës, ku çmimet e tregut janë dukshëm më të larta.
Programi i ri parashikon disa skema për strehimin e të rinjve, përfshirë kreditë e buta dhe subvencionimin e qirasë.
Sipas paketës së prezantuar, në total parashikohen 7 mijë apartamente.
2 mijë kredi do të jenë me interes zero, për apartamente deri në 60 mijë euro dhe 2 mijë kredi të tjera do të kenë interes 3%, për apartamente mbi 60 mijë euro.
Krahas kredive, do të ketë edhe 3 mijë çifte të tjera që do të përfitojnë qira të subvencionuar me 50%. Për këtë skemë, qiraja do të jetë me një tavan prej 400 eurosh, ku gjysmën, deri në 200 euro, do ta paguajë shteti.






