Pretendimi: Raporti zbulon se 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mezi shkruan dhe lexon
Rate: Mungon konteksti
Lajmi i publikuar masivisht në mediat online në vendin tonë ku pretendohet se rreth gjysma e shqiptarëve mezi shkruajnë dhe lexojnë, është i nxjerrë nga konteksti.
Në mediat online në vendin tonë ka qarkulluar masivisht një lajm ku pretendohet se rreth gjysma e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri ka probleme me shkrimin dhe leximin.
“47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mezi shkruan dhe lexon”-shkruajnë mediat online.

Artikujt e shpërndarë në mediat online
Për këto të dhëna, portalet raportojnë se i referohen të dhënave statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF).
“Afërsisht 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri ka arritje të ulëta arsimore dhe një pjesë tjetër 35.2% vlerësohet se kishte njohuri mesatare në vitin 2023, evidentojnë të dhënat statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF) një njësi që operon me financime të KE-së për politika që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor në vendet europiane që nuk janë ende pjesë e BE-së”-thuhet më tej në brendësi të shkrimit.
Mirëpo, ekspertët theksojnë se studimi i publikuar ka një tjetër qasje dhe mediat kanë nxjerrë nga konteksti këtë raport ndërkombëtar.
E kontaktuar nga Faktoje.al, ekspertja Migena Kapllanaj argumenton se në raportin e ETF nuk ka asnjë të dhënë për Shqipërinë që tregon për aftësinë për të shkruar dhe lexuar të popullsisë 15 vjeç e më shumë.
Sipas Kapllanaj, raporti i ETF 2024 (që i referohet të dhënave të vitit 2023) nuk mat aftësitë e të lexuarit apo të shkrimit të popullsisë, por nivelin më të lartë arsimor të arritur.
“Të dhënat e përdorura nga media shqiptare për të treguar që 47% e shqiptarëve 15 vjeç+ mezi shkruajnë e lexojnë, nuk janë referuar saktë, pasi 47% është përqindja e personave që kanë nivelin më të lartë arsimor 9-vjeçar ose të mesëm. (Të dhënat i referohen treguesit “Educational attainment of total population (aged 15+)”, që mat shpërndarjen e popullsisë sipas nivelit të përfunduar të arsimit”, sqaron ekspertja Kapllanaj.
Në faqen 25, pika 8 e këtij raporti, theksohet: “Arritjet arsimore të popullsisë totale (mosha 15+) (%);
Arritja arsimore i referohet nivelit më të lartë arsimor të arritur nga individët, i shprehur si një përqindje e të gjithë personave në atë grupmoshë. Kjo zakonisht matet në funksion të programit më të lartë arsimor të përfunduar me sukses, i cili zakonisht certifikohet me një kualifikim të njohur. Kualifikimet ndërmjetëse të njohura klasifikohen në një nivel më të ulët se programi vetë”.


Pjesë nga raporti
Edhe në një reagimin në rrjetet sociale, ekspertja e çështjeve të arsimit argumenton se rezultatet e raportit flasin për një ndryshim gradual në strukturën arsimore të popullsisë gjatë viteve 2015-2023.
“Përqindja e personave me arsim fillor dhe nëntëvjeçar ka rënë nga 51.4% në 46.7%, duke treguar një rritje të arsimimit të mëtejshëm. Përqindja e personave me arsim të mesëm dhe profesional ka mbetur pothuajse e pandryshuar, nga 34.4% në 35.2%. Përqindja e personave me arsim të lartë dhe më shumë është rritur, pavarësisht një tendence të lehtë rënieje gjatë vitit 2023, nga 14.2% në 18.1% (ndërkohë që në 2022 ishte 19%)”-thekson ajo.
Sipas Kapllanajt, ky nuk është rasti i vetëm kur statistikat keqinterpretohen dhe krijojnë perceptime të gabuara.
“Jo shumë kohë më parë, një tjetër lajm bëri xhiron e mediave, duke pretenduar se 88.1% e familjeve shqiptare jetojnë në familje me shumë breza. Në të vërtetë, shifra i referohej familjeve tradicionale sipas përkufizimit të censusit”, sqaron ajo.

Sqarimi i ekspertes në rrjetet sociale
Migena Kapllanaj ka një përvojë shumëvjeçare në fushën e arsimit të lartë si pedagoge. Gjithashtu është e angazhuar në fushën e kërkimit shkencor dhe vlerësimit të cilësisë në arsimin e lartë.