Lajmi se asnjë izraelit nën 50 vjeç nuk ka vdekur nga Covid-19 është i rremë. Ministria e Shëndetësisë së Izraelit deklaron se, deri në fund të Majit, 356 persona nën 50 vjeç kanë vdekur nga Covid-19.

——————————-

Një përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit është keqinterpretuar në rrjet për të ushqyer teorinë se pandemia e Covid-19 ishte një konspiracion.

Pretendimi i mësipërm, se Ministria e Shëndetësisë izraelite ka deklaruar se 0 persona nën 50 vjeç kanë vdekur nga Covid-19 duket se është gjymtim i një lajmi të botuar fillimisht në gazetën e të djathtës ekstreme The Epoch Times.

Artikulli i Epoch Times deklaron se “zero individë të rinj dhe të shëndetshëm vdiqën nga Covid-19, sipas të dhënave izraelite.”

Megjithatë, edhe ky pretendim është në vetvete një keqinterpretim i një përgjigje që Ministria e Shëndetësisë izraelite i ka kthyer kërkesës për informacion të dërguar nga një avokat.

Lajmi i mësipërm u shpërnda edhe nga Elon Musk në Twitter, i cili mori një përgjigje nga vetë Ministria e Shëndetësisë e Izraelit: “Lajmet e rreme janë të rrezikshme”.

“Fatkeqësisht,” deklaron Ministria, “kjo nuk është çfarë tërësia e të dhënave tregon. Ministria e Shëndetësisë së Izraelit u pyet për të dhëna mbi sëmundje kronike dhe shpjegoi se ajo nuk ka akses në të dhënat klinike.”

Ministria e Shëndetësisë nuk ka akses në të dhënat klinike të individëve, pra nëse ata kanë patur sëmundje të mëparshme kronike apo jo.

Shifrat ku Ministria ka akses janë bazuar në të dhëna të mbledhura gjatë hetimeve epidemiologjike, të dhëna të cilat u janë dhënë hulumtuesve me lejen e pacientit ose familjes së tij. Hetimet epidemiologjike përdoren për të përcaktuar faktorët e një shpërthimi epidemiologjik, si përhapja apo shkaqet e tij.

Ministria shpjegoi më tej në Twitter se, deri në fund të Majit, 356 persona 18-49 vjeç kishin vdekur nga Covid-19. Të dhëna mbi sëmundje të tjera kronike që mund të kenë patur këta individë ishin të disponueshme vetëm për 7.5% të tyre, ose 27 persona. Nga këta 7.5%, asnjëri nuk kishte sëmundje të tjera.