Sektori i Shëndetësisë në Shqipëri ka qenë ndër fushat që ka përthithur një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, por njëkohësisht edhe një nga sektorët ku janë ngritur dyshimet më serioze për korrupsion, shpërdorim detyre dhe favorizim në procedurat e prokurimit publik.
Për më shumë se një dekadë, sistemi shëndetësor shqiptar është përballur me një debat të gjerë mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike, kontratat partneritet publik-privat (PPP), tenderët, menaxhimin e barnave dhe kontrollin e shërbimeve.
Gjatë viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar disa prej hetimeve më të rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare, duke përfshirë ish-ministra, drejtues institucionesh, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratorë kompanish private.
Historia e një prej dikastereve më të përfshira në hetimet e drejtësisë së re, është shoqëruar prej vitit 2013 me largime nga qeveria, zhvendosje në ministri të tjera dhe dorëheqje.
Rotacioni i ministrave
Ilir Beqaj (2013–2017) u largua në riformatimin e qeverisë. Ogerta Manastirliu (2017–2023), u zhvendos në Ministrinë e Arsimit. Albana Koçiu (2023–2025) u zhvendos në Ministrinë e Brendshme dhe së fundmi Evis Sala (2025-2026) dha dorëheqjen, ku pritet të zëvendësohet nga deputetja Klodiana Spahiu.
Në këtë mënyrë, një pjesë e këtyre çështjeve kaluan nga debati politik në hetim penal.
Ndërsa “Sterilizimi” dhe “Onkologjiku” kanë prodhuar procedime penale, dyshimet për “Check-Up”-in dhe “Hemodializën” janë trajtuar kryesisht në planin e auditimeve, analizave financiare dhe debatit mbi efektivitetin e partneritetit publik-privat.
Ato nuk kanë të njëjtin status juridik. Disa janë procese penale aktive, ndërsa të tjera janë kontrata publike të debatuara për koston dhe efektivitetin e tyre.
1.DOSJA E STERILIZIMIT
Bëhet fjalë për një kontratë që vendosi përballë SPAK-un dhe ish-drejtues të Shëndetësisë.
Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë koncesionare për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike.
Qëllimi i deklaruar ishte modernizimi i procesit të sterilizimit, rritja e sigurisë kirurgjikale dhe krijimi i një standardi të unifikuar në spitale.
Pas gjetjeve të KLSH-së dhe kallëzimit të “Nismës Thurje”, SPAK regjistroi procedimin penal duke dyshuar se gjatë hartimit dhe zbatimit të kontratës ishin favorizuar interesa private në dëm të financave publike.
Kontrata u kthye në një nga çështjet më të mëdha të drejtësisë së re, mbi mënyrën e përgatitjes dhe zbatimit të saj.
Edhe në raportin e KLSH-së, evidentohen mangësi në analizën ekonomike, monitorimin e kontratës dhe kontrollin e zbatimit.
KLSH evidenton rritje të kostove dhe pagesa më të larta se parashikimet, si dhe dobësi në administrimin e kontratës.
Hetimet
Procedimi penal nr. 13/2020 u regjistrua nga SPAK pas kallëzimeve dhe verifikimeve mbi procedurën e dhënies së koncesionit. Hetimet u përqendruan në:
hartimin e studimit të fizibilitetit;
përgatitjen e dokumentacionit të tenderit;
vlerësimin ekonomik të kontratës;
procedurën e përzgjedhjes së operatorit ekonomik;
zbatimin e kontratës dhe ndikimin financiar mbi buxhetin e shtetit.
Të dyshuarit kryesorë të dosjes
Ilir Beqaj – Ish-ministër i Shëndetësisë (2013–2017)
Sipas akuzës së prokurorisë, ai dyshohet për shkelje që lidhen me mënyrën e ushtrimit të funksionit publik gjatë procedurave të koncesionit.
Më 28 maj 2025, u vendos që ish-ministri Beqaj të gjykohej veçmas, për veprat penale “vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Beqaj i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se vendimmarrja është kryer në përputhje me ligjin.
Klodian Rrjepaj – Ish-zëvendësministër i Shëndetësisë.
Është një nga personat kryesorë të procedimit. SPAK ka ngritur akuza ndaj tij lidhur me veprimet administrative gjatë procesit të koncesionit.
Ilir Rrapaj – Përfaqësues i subjektit privat.
Është përfshirë në dosje për rolin e tij në kompaninë private të lidhur me kontratën.
SPAK ka ngritur akuza që lidhen me mënyrën e përfitimit dhe zbatimit të kontratës.
Të dyshuar të tjerë dhe akuzat
Në dosje janë përmendur edhe: Marsela Serjani; Saimir Kadiu; Petref Mersini; Arben Gjata.
Akuzat e bëra publike nga organet e drejtësisë lidhen me vepra si “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh”, “shkelje të procedurave”.
Sipas prokurorisë, “procedura e koncesionit ka pasur elementë favorizimi; dokumentacioni dhe kriteret e procedurës kanë cenuar konkurrencën; veprimet e disa zyrtarëve kanë sjellë pasoja financiare për shtetin”.
Këto janë pretendime të SPAK dhe mbeten objekt shqyrtimi nga GJKKO, ndërsa çështja është në proces gjyqësor pranë Gjykatës së Posaçme.
Dënimet
Më 4 mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme gjeti fajtor ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në dhënien e koncensionit të “Sterilizimit” të mjeteve spitalore në vitin 2015 dhe e dënoi atë me 6 vite burg.
Si bashkëpunëtor i tij për të njëjtat akuza, fajtor u gjet edhe biznesmeni që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, i cili u dënua po me 6 vite heqje lirie. Të dy ata morën pafajësi për akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Dënime më të ulëta, nga 1 deri në 3 vite burg, u dhanë për 6 të pandehur të tjerë, ish-zyrtarë që kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien e koncensionit, për shkelje në procedurë.
Prokuroria e Posaçme pretendoi dhe GJKKO vlerësoi se kostot për “Sterilizimin” u frynë në mënyrë të padrejtë në 56.4% dhe se dëmi u bë detyrues për shtetin me firmën e ish-ministrit Beqaj.
2.DOSJA E ONKOLOGJIKUT
Kur dyshimet për administrimin e shërbimit prekën pacientët me kancer, dosja e ashtuquajtur e “Onkologjikut” u kthye një nga çështjet që shkaktoi reagimin më të madh publik, sepse lidhej drejtpërdrejt me personat që marrin trajtim për sëmundje tumorale.
Hetimet u përqendruan te: administrimi i barnave; organizimi i shërbimit; procedurat e trajtimit.
Në zhvillimet publike janë të dyshuar mjekë dhe punonjës të strukturave shëndetësore.
Një nga emrat e bërë publikë është Edmond Gashi, mjek pranë shërbimit onkologjik.
Si nisi çështja
Hetimi u nxit pas publikimit të informacioneve dhe dyshimeve për mënyrën e funksionimit të shërbimit onkologjik, përfshirë:
mënyrën e administrimit të barnave;
organizimin e trajtimeve;
respektimin e procedurave mjekësore;
komunikimin me pacientët;
mundësinë e shmangies së procedurave institucionale.
Klinikat private në fokus
Një nga elementet që tërhoqi më shumë vëmendjen publike ishte dyshimi se pacientë të diagnostikuar me kancer orientoheshin drejt një klinike private për të kryer ndërhyrje ose trajtime.
Sipas prokurorisë, një pjesë e këtyre shërbimeve mund të ishin ofruar edhe në sistemin publik.
Çështja lidhet me dyshimet nëse ka pasur përdorim të funksionit publik për të krijuar përfitime private në kundërshtim me ligjin.
Hetimet dhe akuzat
Prokuroria e Tiranës përfundoi në 6 prill të këtij viti hetimet dhe dërgoi në gjyq ish drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe 5 të tjerë, mes të cilëve mjekë të pavionit të Onkologjikut, pasi akuzohen për 3 vepra penale.
Konkretisht ata dyshohet se kanë “shpërdoruar detyrën’, ‘Fshehur të ardhurat’ si dhe ‘Tregtuar e transportuar mallra që janë kontrabandë’.
Ishte një hetim i Prokurorisë së Tiranës i nisur në 2021 që zbuloi se ish zëvendës drejtoresha, Brikena Qirjazi dhe mjekë të QSUNT, dyshoheshin që nuk i jepnin pacientëve shërbim në spital, por i orientonin ato drejt klinikave private.
Qytetarët e diagnostikuar me tumor, me qëllim për të marrë shërbime shëndetësore, i drejtoheshin klinikave private, sipas orientimeve që u bënin mjekët e vënë në akuzë dhe kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale, të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e QSUNT-së.
Klinika private, në të cilin merrnin shërbim pacientët e sëmurë ishte në pronësi të Halil Gashit, babait të mjekut Edmond Gashi (në arrest shtëpie), gjithashtu në akuzë për fshehje të ardhurash pasi nuk lëshonte asnjë faturë për ndërhyrjet kirurgjikale, që kishte kryer.
Nën hetim për këtë dosje, por që nuk kishin ankimuar vendimin e masës, janë edhe mjekja Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, të hetuar në masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Po ashtu në akuzë u vu dhe F.M., administrator i F.F., i cili blinte dhe tregtonte kontrabandë ilaçe që shërbenin për trajtimin e kancerit.
3.KONCESIONI I CHECK-UP
Programi i kontrollit shëndetësor dhe debati mbi eficiencën e PPP-ve, i quajtur ndryshe Check-Up, ishte një nga programet kryesore të reformës shëndetësore pas vitit 2013.
Qëllimi i tij ishte diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve përmes kontrolleve periodike.
Edhe pse nuk duhet paraqitur si një dosje penale korrupsioni pa një akuzë zyrtare dhe një proces gjyqësor përkatës, debati publik u fokusua te kostoja për buxhetin, numri real i përfituesve, matja e rezultateve dhe raporti mes pagesës dhe efektit shëndetësor.
Në raportet e publikuara në media, shteti e ka paguar koncesionarin e kontrollit bazë mjekësore (check-up) për 580 mijë kontrolle të pakryera përgjatë periudhës 2015-2018.
Kjo shifër është bërë e ditur në një raport për koncesionet të publikuar nga Ministria e Financave.
Kontrata u realizua përmes një modeli PPP, ku operatori privat ofronte shërbimin dhe shteti kryente pagesat sipas marrëveshjes.
Kontrata u zhvillua gjatë periudhës kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë në periudhën 2013–2017.
Në fakt, nuk rezulton që SPAK të ketë publikuar një njoftim zyrtar për shtyp të dedikuar për hetimin e koncesionit të Check-Up.
4.KONCESIONI I HEMODIALIZËS
Hemodializa është një shërbim kritik për pacientët me insuficiencë kronike të veshkave, ku modeli PPP synoi të garantonte: pajisje moderne; qendra trajtimi; standardizim të shërbimit.
Edhe këtu, duke parë që nuk ka një dosje penale pa një procedim dhe akuzë të konfirmuar, çështjet e ngritura janë përqendruar te:
kostoja afatgjatë e kontratës; kontrolli i cilësisë; varësia e sistemit publik nga operatorët privatë.
Në shërbime të tilla, pyetja kryesore nuk është vetëm financiare, por edhe mjekësore: a po merr pacienti shërbimin më të mirë të mundshëm?
Megjithatë, akuzat sipas gjetjeve administrative nuk kanë munguar, ku janë evidentuar shkelje që dyshohet se kanë kryer kompani të caktuara.
Ndryshe nga ai për “Sterilizimin”, raporti i KLSH-së për Hemodializën nuk evidentoi drejtpërdrejt një dëm financiar apo favorizim të koncesionarit, por theksoi se dobësitë në monitorim dhe administrim, krijojnë rrezik për përdorim joefektiv të fondeve publike dhe për cilësinë e shërbimit.
Nga kontratat, te besimi publik
Sterilizimi, Onkologjiku, Check-Up dhe Hemodializa nuk kanë ngjashmëri sa u takon dosjeve penale apo dyshimeve për shkelje të ligjit.
Ato përfaqësojnë katër probleme të ndryshme:
Sterilizimi: përgjegjësia në kontratat e mëdha publike;
Onkologjiku: integriteti i shërbimit mjekësor;
Check-Up: eficienca e programeve parandaluese;
Hemodializa: menaxhimi i një shërbimi jetik.
Por ato kanë një pikë të përbashkët: besimin e qytetarëve te mënyra se si shteti menaxhon shëndetin publik.
SPAK dhe sektori me buxhetet më të mëdha publike
Prej thuajse një dekade, në historinë e drejtësisë shqiptare, procedimet penale kanë prekur vendimmarrje të nivelit më të lartë në administrimin e politikave shëndetësore.
Në fokus të hetimeve kanë qenë kontrata me vlera të konsiderueshme financiare, procedura prokurimi, partneritete publik-private (PPP), administrimi i fondeve të huaja dhe dyshime për favorizim të operatorëve ekonomikë.
Gjatë viteve 2014–2016, qeveria miratoi një sërë kontratash koncesionare në sektorin e shëndetësisë.
Ato u prezantuan si një mënyrë për të modernizuar shërbimet dhe për të rritur efikasitetin.
Megjithatë, me kalimin e viteve, ato u bënë objekt auditimesh, kallëzimesh dhe hetimesh penale.
Në analizat mbi PPP-të në shëndetësi, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe institucione të tjera kanë ngritur në raste të ndryshme çështje mbi mënyrën e menaxhimit, monitorimit dhe dokumentimit të kontratave afatgjata.






