ONM në Gjykatën Kushtetuese, debati për kompetencat dhe mandatin 

Vendimi i GjK për përfshirjen e vëzhguesve të ONM-së në dhomën e këshillimit ka ndezur një debat të fortë juridik

12
Gjykata Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përfshirë vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) edhe në dhomën e këshillimit ka hapur një debat të fortë juridik dhe institucional në Shqipëri. 

Në qendër të diskutimit është jo vetëm roli që duhet të ketë ONM pas përfundimit të procesit të vettingut, por edhe kufiri deri ku mund të shtrihet monitorimi ndërkombëtar në një institucion që Kushtetuta e përcakton si të pavarur.

Duke shprehur shqetësimin e tij, juristi Eugen Beci fokusohet te vazhdimi i mekanizmit të Vettingut dhe prania e ONM-së, ndërsa Lulëzim Alushaj përqëndrohet te mungesa e pretenduar e juridiksionit të Gjykatës për të shqyrtuar kërkesat e reja për rishikim.

Vendimi

Më 2 nëntor 2026, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese miratoi Vendimin nr. 13, përmes të cilit u miratua një aneks i posaçëm për procedurat e shqyrtimit të çështjeve që lidhen me juridiksionin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas këtij rregullimi, ONM-së i njihet e drejta e aksesit në dosje, dokumentacion dhe prova, si dhe mundësia për të paraqitur gjetje dhe mendime me shkrim.

Pika më e debatueshme është parashikimi që vëzhguesit ndërkombëtarë të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e shqyrtimit, përfshirë edhe dhomën e këshillimit dhe marrjen e vendimit. 

Edhe pse ONM nuk ka të drejtë vote dhe mendimet e saj nuk kanë vlerën e provës, prania në diskutimet e brendshme të gjyqtarëve ngre debate mbi konfidencialitetin, pavarësinë dhe lirinë e vendimmarrjes gjyqësore.

ONM u krijua në kuadër të reformës në drejtësi për të monitoruar procesin e rivlerësimit kalimtar, ndërsa vendimmarrja për konfirmimin ose shkarkimin e magjistratëve u takonte institucioneve shqiptare të vettingut.

Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përfundoi më 17 qershor 2026.

Çështjet e mbartura dhe vendimet e Strasburgut

Pas përfundimit të mandatit të KPK-së dhe KPA-së, Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjet që lidhen me juridiksionin e rivlerësimit, përfshirë kërkesat për rishikimin e vendimeve të mëparshme. 

Bëhet fjalë për dy kategori çështjesh: ato të mbartura, për të cilat procedurat e rishikimit ishin nisur përpara përfundimit të mandatit të KPA-së, si dhe kërkesat që lidhen me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, kur janë konstatuar shkelje gjatë procesit të vettingut.

Rruga procedurale nis me rivlerësimin e magjistratit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), vijon me të drejtën e ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe, pas përfundimit të mjeteve të brendshme juridike, mund të përfundojë në Gjykatën e Strasburgut.

Në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje të Konventës, mund të lindë nevoja për rishikimin e vendimit në Shqipëri, sipas procedurave përkatëse. 

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Strasburgu i anulon automatikisht vendimet e vettingut apo se çdo çështje rihapet vetvetiu.

Reagimet e juristëve

Përfshirjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në dhomën e këshillimit e kundërshton avokati dhe ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim si një precedent problematik për pavarësinë e drejtësisë.

Sipas tij, prania e vëzhguesve të huaj në dhomën e këshillimit cenon natyrën konfidenciale të diskutimit gjyqësor dhe rrezikon të tjetërsojë rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Në analizën e tij të publikuar në media, Beçi ngre shqetësimin se përmes anekseve procedurale mund të mbahet në funksion një mekanizëm i përkohshëm edhe pas përfundimit të mandatit të institucioneve të Vettingut. 

Një tjetër kritikë e tij lidhet me trajtimin e vendimeve të Strasburgut. Beçi argumenton se këto vendime duhet të zbatohen dhe të sjellin korrigjimin e shkeljeve të konstatuara, por nuk duhet të përdoren si pretekst për të krijuar cikle të reja hetimore apo për të zgjatur artificialisht funksionimin e një mekanizmi që ka përfunduar mandatin.

“Përpjekja për të futur në të ashtuquajturat çështje të papërfunduara situata që nuk lidhen me ngarkesën e mbartur, përfshirë trajtimin artificial të vendimeve të Strasburgut, dëshmon një vullnet të qarqeve burokratike për të evituar përfundimin ligjor të vettingut”, shpjegon avokati.

Sipas tij, vendimet e Strasburgut kërkojnë zbatimin e standardeve të Konventës, por nuk mund të shërbejnë si justifikim për të mbajtur në jetë një mekanizëm që e ka përfunduar mandatin.

Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese

Një tjetër qëndrim kritik vjen nga avokati Lulzim Alushaj, i cili e zhvendos debatin te vetë kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesat për rishikimin e vendimeve të vettingut.

Sipas Alushajt, përmes një aneksi të rregullores dhe jo përmes një ndryshimi kushtetues apo ligjor, Gjykata Kushtetuese po i njeh vetes kompetenca që, sipas interpretimit të tij, nuk ia jep Kushtetuta.

Ai i referohet nenit 179/b, pika 8, duke argumentuar se pas përfundimit të mandatit të KPK-së dhe KPA-së, Gjykata Kushtetuese kishte një kompetencë të kufizuar për shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimeve të KPK-së që kishin mbetur të papërfunduara.

Alushaj pretendon se, në momentin e përfundimit të mandatit të KPA-së, nuk kishte më çështje të kësaj natyre dhe, për rrjedhojë, Gjykata nuk mund ta zgjeronte juridiksionin e saj për të përfshirë kërkesa të reja për rishikimin e vendimeve të vettingut.

Shqetësimi i tij lidhet edhe me pasojat që mund të prodhojë kjo situatë në sistemin e drejtësisë. 

Sipas Alushajt, nëse Gjykata shqyrton çështje pa pasur juridiksionin përkatës, vendimet e saj mund të kontestohen si të pavlefshme. 

Për këtë arsye, avokati i kërkon Kuvendit të ndërhyjë urgjentisht për të sqaruar situatën dhe për të shmangur, sipas tij, pasigurinë juridike dhe pasojat zinxhir në sistemin e drejtësisë.

Berisha: Pjesëmarrja e ONM-së, antikushtetuese

Në debat është përfshirë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar antikushtetuese pjesëmarrjen e vëzhguesve të ONM-së në dhomat e këshillimit të gjyqtarëve kushtetues.

Në një prononcim për mediat, më 12 nëntor 2026, pas paraqitjes në SPAK, Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk mund të pranojë asnjë mekanizëm që, sipas tij, merr kompetencat e Kuvendit dhe ndërhyn në funksionimin e institucioneve kushtetuese.

Ai e konsideroi praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë gjatë vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese si një shkelje të rëndë të Kushtetutës, duke argumentuar se veprimtaria e kësaj gjykate rregullohet me ligj të posaçëm dhe se gjyqtarët nuk mund ta ndryshojnë apo ta plotësojnë vetë këtë kuadër përmes një rregulloreje të brendshme.

“Unë po dëgjoj tani që ata do të jenë pjesë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është fund e krye antikushtetuese”, deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të japë një përgjigje zyrtare pasi juristët e saj të përfundojnë shqyrtimin e vendimit.