Vaji i ullirit dhe limoni janë dy përbërës të shëndetshëm për t’u konsumuar nga njeriu, por nuk bëjnë mrekullinë kundër rrudhave dhe akneve siç pretendojnë artikuj të shpërndarë në portale prej vitesh. Faktoje verifikoi këtë mit dhe zbulon se nuk ka asnjë hulumtim për të mbështetur pretendimet se këto dy përbërës parandojnë plakjen e parakohshme.
Një artikull i publikuar online pretendon se limoni dhe vaji i ullirit bëjnë mrekullinë kundër rrudhave dhe akneve.
“Limon dhe vaj ulliri: 2 përbërës të cilët nëse i përdorni në këtë mënyrë kanë tendencë”, shkruan ‘Gazeta Diaspora’.
Postimi i shpërndarë nga portali
Më tej, në brendësi të artikullit portali sugjeron disa maska mbi përdorimin e këtyre produkteve në trajtimin e problemeve me rrudhat dhe aknet.
“Secila femër pëlqen ta ketë lëkurën e bukur, pa akne, pa rrudha dhe të lëmuar. Nëse dëshironi të arrini këto rezultate atëherë kemi disa sugjerime për maskat e duhura per ju”, shkruhet ndër të tjera në artikull.
Por sa funksionojnë këto maska?
Në bëmë një kërkim, duke iu referuar burimeve të besueshme të informacionit, për të kuptuar benefitet e këtyre produkteve.
Sipas studimeve të kryera dhe publikuara në revistën online të profilizuar “Healthline”, shumë lëndë ushqyese që gjenden në vajin e ullirit dhe lëngun e limonit mund të kenë efekte pozitive në shëndetin tuaj. Çdo përbërës ka përfitimet e veta të fuqishme shëndetësore.
“Por nëse kombinohen, a mund të konsiderohen vaji i ullirit dhe lëngu i limonit si një super kombinim me efekte më të mëdha se secili kur konsumohet individualisht? Shkurt, jo. Njerëzit kanë pohuar se kjo përzierje mund të përmirësojë tretjen, të pastrojë trupin, të zvogëlojë dhimbjet e kyçeve, të parandalojë plakjen e parakohshme dhe të trajtojë gurët në tëmth. Megjithatë, asnjë studim nuk tregon se efektet e tyre rriten kur kombinohen”, theksohet në studimet e kryera.
Më tej, këto studime pohojnë se nuk ka asnjë hulumtim për të mbështetur pretendimet se këto dy përbërës parandojnë plakjen e parakohshme.
Për më tepër, hulumtimet kanë hetuar veçmas përfitimet e mundshme shëndetësore të lëndëve ushqyese që gjenden në vajin e ullirit dhe lëngun e limonit.
Aludimet se kombinimi i lëngut të limonit dhe vajit të ulirit bën mrekullinë kundër rrudhave dhe akneve është thjesht një mit, që shpërndahet nga portalet, pa iu referuar ndonjë studimi të kryer.