Arti dixhital i krijuar nëpërmjet inteligjencës artificiale (AI) vijon të konfuzojë dhe keqinterpretohet nga përdoruesit e rrjeteve sociale si një shenjë e degradimit të shoqërive perëndimore. I tillë është rasti i një profili në Facebook, i cili shpërndan në datë 12 mars imazhe të një hoteli të dekoruar me element vizaule ‘satanike’, shoqëruar me pretendimin e çuditshëm se në “2024 në të gjitha hotelet, zyrat, do vendosin portretin e Zotit satan.”
“Faktoje” vendosi të verifikojë vërtetësinë e këtyre imazheve duke përdorur motorin e kërkimit të fotove Google Image Search.
Nga ky kërkim rezulton se këto imazhe janë postuar fillimisht nga marka e veshjeve Ink Poisoning në llogarinë e saj në Instagram më 22 shkurt.
Përshkrimi që shoqëron imazhet sqaron se ato janë punë konceptuale të krijuara me anë të programeve AI (inteligjencë artificiale) nga Ink Poisoning.
“Faktoje” ka shkruar dhe më parë për raste kur krijimet dixhitale janë marrë si të vërteta, si në shembullin e imazheve të një ‘sfilate mode sataniste’ që rezultuan se ishin, në të vërtetë, krijimi dixhital i një artisti.