Botimi i të dhënave të Shoqatës Federale Mjekësore gjermane po përdoret nga e djathta ekstreme gjermane, përkrah konspiracionistëve anti-vaksinë, si dëshmi e një “holokausti vaksine”. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon përse ky argument mbështetet, në fakt, në keqinterpretimin e qëllimshëm të të dhënave.
———————————————————————————-
Në hapësirat shqipfolëse anti-vaksinë po qarkullon një artikull i përkthyer nga anglishtja që pretendon se “të dhënat gjermane të sigurimeve tregojnë se 88 persona të vaksinuar plotësisht vdesin “papritur” çdo ditë”
Artikulli hapet duke deklaruar se Shoqata e Federale Mjekësore e Gjermanisë (KBV) ka bërë publike të dhënat e sigurimit për 72 milionë gjermanë. Në vijim, teksti inskenon një narrativë të përhapur konspiracioniste në të cilën qeveria gjermane ka refuzuar të bëjë publik informacionin që do dëshmonte për dëmet e të ashtuquajturës “vraksinë” anti-Covid. Por shteti gjerman, me gjithë burimet që ka në dorë, nuk ka mundur t’i bëjë bisht dy iluministëve guximtarë: parlamentarit gjerman Martin Sichert dhe analistit të të dhënave Tom Lausen, të cilët “detyruan qeverinë gjermane të publikojë të dhënat”.
Në thelb, pretendimet e tekstit janë se “të dhënat gjermane të sigurimeve tregojnë se 88 persona të vaksinuar plotësisht vdesin “papritur” çdo ditë,” dhe se “pas përhapjes së vaksinave kundër Covid në Gjermani në fund të vitit 2020, numri i vdekjeve të papritura u dyfishua më shumë se në tremujorin e parë të 2021.”
Sa i përket pretendimit të parë (aq i rëndësishëm sa të përbëjë dhe titullin e artikullit), kushdo që e ka përkthyer tekstin nga anglishtja ka zgjedhur të anashkalojë ndonjë përpjekje për ta shpjeguar nga del ky numër.
Të dy pretendimet janë të pabazë, në fakt, sepse ata rrjedhin nga një keqinterpretim i të dhënave. Të dhënat që grupi parlamentar i Alternative für Deutschland (AfD) kërkoi nga KVB janë të ashtuquajturat kode ICD që përdoren ndërkombëtarisht nga spitalet dhe kompanitë e sigurimeve për të kategorizuar kartelat. Këto janë të dhëna që përdoren për faturim, mes mjekëve dhe kompanive të sigurimit shëndetësor, dhe nuk përdoren për të regjistruar shkakun e vdekjeve. Për më tepër, ato nuk tregojnë nëse një person është i vaksinuar apo jo.
Siç “Faktoje” ka theksuar më parë, fakti që dy fenomene janë të lidhur në kohë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një lidhje shkak-pasojë mes tyre. Për shembull, ka një lidhje 99.8% mes numrit të vetëvarjeve në ShBA dhe shpenzimeve buxhetore të ShBA për shkencën, hapësirën dhe teknologjinë. A do të thotë kjo se një nga këto fenomene ka shkaktuar tjetrin?
Vetë institucioni që ka botuar këto të dhëna, KBV, lëshoi një deklaratë për shtyp më 12 dhjetor ku sqaroi se “numrat janë interpretuar për të thënë diçka që ata thjesht nuk mund ta japin.” Për më tepër, KBV përsëriti se “bazuar në të dhënat e transmetuara nga KBV, AfD-së, asnjë lidhje shkak-pasojë nuk mund të vendoset mes vaksinimit anti-Covid dhe vdekjeve.”
Pretendimi i partisë AfD, më tej, është i pabazë sepse ai mbështetet në të dhëna të përzgjedhura gabim.
Kreu i Institutit Qendror për Sigurimin Shëndetësor (Zi), Dr. Dominik von Stillfried deklaroi se: “Alarmi për një rritje të mundshme vdekjesh në 2021 është krejt i pabazë.” Sipas tij, të dhënat e përdorura nga AfD korrespondojnë me personat e siguruar që kanë përdorur të paktën një shërbim mjekësor në të paktën një tremujor të 2021. Si rrjedhojë, këta persona mund të kenë vdekur, logjikisht, vetëm në vitin 2021, dhe jo më parë. Rritja e dukshme e vdekshmërisë në 2021, si rrjedhojë, është pasojë e kësaj përzgjedhjeje të qëllimshme të të dhënave të përdorura. Një analizë e të dhënave nga Zi duke kontrolluar për të njejtat ICD që përdori dhe ekspertët e AfD, tregon se nuk ka një rritje të incidencës, si përqindje e popullatës, së këtyre kodeve në vitin 2021.
Grafiku, i prodhuar nga AfD, tregon vdekjet e shoqëruara me kodet I46, dhe R96 – R99
Grafiku, i prodhuar nga Zi, tregon vdekjet e shoqëruara me kodet I46, dhe R96 – R99