BallinaAktualitetBujqësia në juglindje, krizë edhe nga mungesa e krahut të punës

Bujqësia në juglindje, krizë edhe nga mungesa e krahut të punës

Mungesa e krahut të punës po thellon krizën në sektorin e bujqësisë në juglindje të vendit duke rritur koston e prodhimeve. Fermerët thonë se këtë vit paguan dyfish  krahun e punës nga Korça, pasi fshatrat thuajse janë boshatisur nga personat nën 40 vjeç, që kanë emigruar. Shifrat e INSTAT flasin për mbi 42 mijë të larguar nga Shqipëria për vitin 2021. Edhe punësimi sezonal në Greqi ka ndikuar në mungesën e punëtorëve për të vjelat, ndërsa ekspertë të ekonomisë sugjerojnë disa politika nxitëse për të mbajtur fuqinë punëtore për bujqësinë në vendin e tyre.

Daniela Zisi

Bashkim Dervishi, një prej fermerëve të fshatit Cangonj në Devoll ka grumbulluar këtë sezon rreth 500 kv mollë nga pemtoret e tij. Edhe pse prodhimi është me cilësi të lartë, ai ka mundur të shesë një sasi të vogël mollësh për fabrikat e përpunimit të frutave.

“Po më kalben mollët në magazinë. Asnjë makinë nuk vjen këtej për të blerë. Tregtarët e shumicës na ofrojnë çmime qesharake, që nuk justifikojnë as kostot, as mundin. Veç rritjes së çmimit të plehrave kimikë, punimit të tokës dhe shërbimeve të tjera, na duhet të përballojmë edhe kostot e krahut të punës, të cilin nuk ke as ku ta gjesh”- tregon Bashkimi.

Sigurimi i krahut të punës gjatë sezonit të vjeljes së prodhimit është kthyer në sfidë për fermerët e Devollit.

“Kanë ikur të gjithë të rinjtë, në fshat kanë mbetur vetëm pleqtë. Na kanë rënë të gjitha hallet ne të moshuarve. Duhet të merremi edhe me punimin e tokës, edhe me shitjen e prodhimit, me gjithçka. Ka më shumë se 5 vite që vuajmë për të gjetur punëtorë për të vjelë mollët. Sivjet punëtorët i gjeta nga fshatrat e tjerë të Devollit dhe i kam paguar me 2 mijë lek në ditë, çka i shtoi harxhimet e mia. Këto shpenzime nuk kam për t i nxjerrë se mollët më kanë mbetur pa shitur”- përfundon 62 vjeçari.

Në foto Bashkim Dervishi, Devoll

Të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë tregojnë se qarku i Korçës ka 3 600 ha sipërfaqe të mbjella me mollë, që sigurojnë çdo vit nga 80 – 100 mijë tonë prodhim, vjelja e të cilit varet nga fuqia punëtore.

Qarku i Korçës si zonë e orientuar drejt bujqësisë numëron 43 007 ferma dhe nevoja për krah pune është e pamundur të plotësohet në kushtet kur tregu i punës ofron fare pak mundësi, pasi mosha e aftë për punë po largohet nga vendi.

“Mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për fermerët e qarkut tonë, sidomos gjatë sezonit të vjeljes”- thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të Drejtorisë Rajonale të Bujësisë. Pamundësia për të përballuar vetë zinxhirin e proceseve të prodhimit, detyron fermerët t’i drejtohen tregut për të gjetur punëtorë, paga ditore e të cilëve këtë vit është dyfishuar.

“Vjet i mora punëtorët me 1 mijë lek në ditë, sivjet nuk më vinte askush pa i paguar 2 mijë lekë”- tregon Ylli Gjata, cili shton se banorët e moshës nën 40 vjeç janë të gjithë në emigracion. Ai thotë se pemtoret e mollëve i ka shkulur dhe ka vendosur të merret me kultivimin e qepëve dhe patateve, por edhe shitja e tyre është po aq e vështirë, pasi tregtarët japin çmime shumë të ulëta.

Nuk kam leverdi të shes prodhimin me 100 lek të vjetra, kur mua vetëm për vjelje më duhen deri 3 apo 4 punëtorë çdo ditë. Shpenzimet e tokës janë shumë të mëdha dhe nuk ia vlen të merresh me bujqësi, kur në fund të sezonit të del se nuk ke siguruar dot as bukën për familjen”- thotë Gjata.

Në foto Ylli Gjata, fermer në Devoll

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku, e sheh me shqetësim mungesën e fuqisë punëtore në këtë sektor, si faktor që ul të ardhurat e fermerit.

“Të vjelësh sot një hektar me mandarina, ku rendimenti llogaritet në 60 tonë për ha, kërkohen 3 deri në 4 punëtorë në ditë dhe kur mendon që vetëm Xarra dhe Konispoli kanë rreth 900 ha me mandarina të del që kërkohen nga 2700- 3600 punëtorë për çdo ditë vjelje.”- thotë eksperti i cili shton se situatë e ngjashme është edhe në zonat e tjera të vendit që jetojnë me bujqësi.

Emigracioni sezonal drejt Greqisë, që në kushtet e krizës ekonomike mbetet i vetmi burim të ardhurash për një pjesë të madhe të familjeve në juglindje, ka tkurrur krahun e punës në bujqësi ashtu si në sektorë të tjerë, duke i vënë në vështirësi fermerët dhe duke rrezikuar vjeljen e prodhimeve. Nga ana tjetër nevojat e bujqësisë greke për të mbledhur prodhimet, kanë sjellë lehtësim të procedurave të lëvizjes dhe punësimit në vendin fqinj të punëtorëve sezonalë. Interesi i tyre mbetet i lartë edhe për shkak të pagave të kënaqshme që ofrojnë Kooperativat Bujqësore. Amarildoja një 33 vjeçar nga Korça, prej më shumë se 10 vitesh ka punuar si punëtor sezonal në sektorin e bujqësisë në Greqi. Ai thotë se punon së bashku me familjen dhe pagesa ditore në vendin fqinj varion nga 35-40 euro në ditë.

“Në fillim e kisha të vështirë të gjeja punë se isha pa dokumenta thotë ai, por prej dy vitesh kam marrë edhe lejen e qëndrimit në Greqi. Greqia ka nevojë për punëtorë për vjeljen e pjeshkëve, ullinjve, agrumeve etj. dhe i paguan punëtorët shumë më tepër se këtu”-tregon ai. Amarildoja ka vendosur të marrë një fermë me qira në zonën e Selanikut dhe të kultivojë kivi, të cilat e kanë tregun të sigurtë, sepse i gjithë prodhimi do të shkojë për eksport.

Vështirësia për të gjetur punëtorë, për kryetarin e bashkisë së Devollit, Eduart Duro, më tepër se sa nga mungesa e krahut të punës, vjen si pasojë e pagave të ulëta që ofrojnë fermerët. Sipas tij, bujqësia rajonale duhet të bëhet konkurruese jo vetëm në cilësinë e produkteve, por edhe në trajtimin e krahut të punës.

“Çdo vit nga bashkia e Devollit shkojnë në Greqi për të punuar në sektorin e bujqësisë rreth 1500 persona dhe kjo është një situatë që vazhdon prej shumë vitesh. Punësimi sezonal siguron më shumë të ardhura për banorët, të cilët kanë mundësi që kur kthehen, të merren edhe me tokat e tyre.” Pavarësisht emigracionit kryebashkiaku pohon se zonës së Devollit nuk i mungojnë punëtorë për bujqësinë, por ata nuk paguhen mjaftueshëm.

“Fermerët e mëdhenj nuk e kanë shqetësim gjetjen e punëtorëve, sepse ata mbajnë punëtorë thuajse gjatë gjithë vitit. Më të vështirë e kanë fermerët e vegjël, të cilët kërkojnë punëtorë vetem për sezonin e vjeljes.”- sqaron Duro, duke shtuar më tej se pagat për krahun e punës duhet të afrohen me ato në vendin fqinj, çfarë do të parandalonte largimin e të rinjve jashtë.

Veç emigracionit, që sipas INSTAT për vitin 2021 numëron 42 048 persona të larguar, edhe lëvizjet drejt zonave urbane kanë ndikuar në zvogëlimin e fuqisë punëtore në bujqësi, konstaton Vullnet Gjolla, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë. Sipas tij, numri i fuqisë punëtore që kërkohet për sezone të caktuara është i ndryshueshëm dhe varet nga lloji i prodhimit dhe futjes së teknologjive të reja në prodhim, ndërsa shton se mungesa e krahut të punës ndikon direkt koston e produktit dhe rrit çmimin për konsumatorin.

Burimi:  INSTAT

Boshatisja e tregut lokal të punës ka çuar dëm sasi të mëdha prodhimi, sidomos të qershive, të cilat fermerët e Korçës nuk kanë mundur dot t’i vjelin. Adriatik Shkëmbi fermer nga fshati Dvoran tregon se këtë verë qershitë iu kalbën në pemë.

“Kam 300 rrënjë qershi dhe marr 150 kv prodhim çdo sezon. Këtë vit nuk i vola, se nuk gjeta punëtorë me atë pagesë që unë kisha mundësi të jepja për ditë pune. Vetëm nxjerrim nga xhepi dhe nuk kemi fare fitim. Po falimentojmë dhe askush nuk pyet për ne. Subvencione nuk marrim dot, plehrat kimikë janë rritur, nafta është bërë e shtrenjtë si flori, treg ku të shesim nuk gjejmë dot dhe punëtorët nga Korça se nga fshatrat e tjerë nuk ka krah pune, na kërkojnë 2500 lekë në ditë. Nuk kemi ku të përplasim kokën, na mbetet vetëm t’u vemë sëpatën qershive dhe çdo peme tjetër dhe të marrim rrugët e Greqisë”- përfundon i revoltuar Shkëmbi.

Por Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujësisë Vullnet Gjolla thotë se ka pasur raste të rralla kur fermerët për shkak të mungesës së punëtorëve nuk kanë mundur të vjelin prodhimin. Ai shton se sasia e prodhimit të pavjelë është e kufizuar, por pa dhënë shifra.

“Për vitin 2022 kanë mbetur pa vjelë disa sipërfaqe me qershi, por këto nuk janë shqetësuese pasi në përgjithësi fermerët kanë gjetur mundësi për të vjelë prodhimin me ndihmën e anëtarëve të familjes”- sqaron Gjolla.

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku thotë për Faktoje se problematika e mungesës së fuqisë punëtore mund të zbutet dhe largimi i krahut të punës mund të frenohet nëse do të zbatoheshin politika mbështetëse për bujqësinë.

“Vitin e parë për të gjitha aktivitetet start-up në bujqësi, që regjistrohen si persona fizikë, t’u mundësohet pagesa e sigurimeve shoqërore nga shteti. Gjithashtu t’u ofrohet kredi me interes zero, pra shteti të paguajë normat e interesit për tre vitet e para, të gjithë fermerëve që janë të punësuar në kompanitë që operojnë në sektorin e bujqësisë. Mundësia e kreditimit do t’i zbuste problematikat sociale dhe të punësimit dhe do të ndihmonte që të kryenin aktivitet bujqësor familjar, duke i kultivuar tokat”- sugjeron Pilku.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img