BallinaFaktometerE PavërtetëHimarë, dështon projekti i ndarjes së mbetjeve që në burim

Himarë, dështon projekti i ndarjes së mbetjeve që në burim

ANXHELA RUÇI

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se në Himarë do të mundësohej ndarja e mbetjeve që në burim duke vendosur mbi 600 kosha. Në kulmin e sezonit turistik qartësisht vihet re se projekti ka dështuar pasi diferencimi i mbetjeve nuk është realizuar në qytetin bregdetar.

—————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————-

Bashkia Himarë është një nga destinacionet kryesore që përballon fluks jo të paktë veror të turistëve që zgjedhin rivierën shqiptare për të kaluar pushimet.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, së bashku me kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, në maj të këtij viti inspektuan implementimin e projektit të GIZ Albania për vendosjen e 600 kontenierëve të mbeturinave, të cilat do të bënin ndarjen e mbetjeve që në burim.

“Mbi 600 kosha ? për ndarjen e mbetjeve urbane që në origjinë, në 7 fshatra të Himarës. Menaxhojmë mbetjet urbane, për sezon turistik të pastër dhe të sigurtë”, kështu shkruante përbri fotove në postimin e tij në facebook ministri Klosi.

Si është situata në kulmin e sezonit turistik?

“Faktoje” ka inspektuar në terren deklaratën që ka dhënë Blendi Klosi për vendosjen e 600 koshave dhe ndarjen e mbetjeve që në burim në Himarë.

Ajo që bie në sy nga inspektimi është se në pothuajse të gjitha zonat bregdetare që përfshihen në Bashkinë Himarë siç është; Dhërmiu, Jala, Himara, Lukova etj., ka të vendosur kosha mbeturinash por ndarja në burim nuk është realizuar.

Koshat e mbeturinave janë të vendosur njëri pas tjetrit dhe nuk kanë të shënuar mbi to kategorizimin për ndarjen e mbeturinave apo përcaktimin se në cilin prej tyre duhet të hidhen mbetjet, për rrjedhojë ndarja nuk bëhet që në burim.

Foto: Anxhela Ruçi, Himarë 19 korrik 2019

Në kontenierët e mëdhenj metalikë është e pacaktuar se cili prej tyre është për hedhjen e metaleve, për materilet e letrës, plastikës apo mbeturinave duke konfuzuar në këtë mënyrë edhe qytetarët, të cilët nuk e bëjnë dot diferencimin e mbetjeve që në burim.

 

Foto: Anxhela Ruçi, Himarë 19 korrik 2019

Në disa zona janë të vendosur kontenierë prej rrjete të specifikuara për mbetje kartoni dhe letre. Ky projekt parashikonte vendosjen e vetëm 15 kontenierëve për mbetjet e kartonit dhe të letrës si dhe 6 kontenierë për plastikë dhe kanaçe.

Foto:Anxhela Ruçi, Himarë 19 korrik 2019

Edhe pse këto kontenierë janë vendosur, qytetarët nuk përmbushin udhëzimet duke i hedhur mbeturinat në vendin ku duhet por i depozitojnë aty ku e kanë për mbarë.

Foto: Anxhela Ruçi, Dhërmi 18 korrik 2019

Pas verifikimit në terren në kulmin e sezonit turistik, deklaratën e Blendi Klosit për ndarjen e mbetjeve që në burim duke vendosur koshat përkatës për depozitimin e tyre, “Faktoje” do ta klasifikojë GËNJESHTËR.

Faktikisht kosha mbeturinash janë vendosur por shumë prej tyre nuk kanë të mbivendosur emërtimin përkatës ndaj dhe kjo e bën të vështirë realizimin e këtij projekti.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img