Granit Sokolaj
Titujt e shumtë të lajmeve që hasen në internet apo media sociale, se me pak shpenzime mund të dukesh më i ri apo se në kuzhinë gjenden përbërësit e jetëgjatësisë në jo pak raste janë tundues dhe ftojnë lexuesit të bëjnë ‘eksperimente’ që në dukje nuk kushtojnë shumë. Përpos kohës së humbur, këto këshilla mund të vijnë me një sërë efektesh anësore, të cilat mund të kenë kosto jo vetëm financiare, por edhe shëndetësore.
Recetat dhe këshillat mjekësore ngjallin gjithnjë kureshtje dhe qarkullojnë në rrjet edhe më shpejt se lajmet më të rëndësishme. Kushdo ka një mike, prind apo të afërm që ankohen nga një problem shëndetësor dhe shpesh “trajtimet popullore” apo mjekimet në shtëpi shihen si një zgjidhje e lehtë dhe pa shumë kosto. Lehtësia me të cilën i ndajmë këto këshilla falë mediave sociale shpesh nuk na lejon kohën e nevojshme për t’u thelluar me tej në përmbajtjën e tyre dhe padashur mund të vendosim në rrezik shëndetin e dikujt.
I tillë është rasti i lajmit të publikuar në Newsraport.com, ku pretendohet se rrudhat rreth syve reduktohen ndjeshëm vetëm me përdorimin e të bardhës së vezës. Në pak rreshta, portali zbulon dhe formulën e aplikimit duke e shoqëruar edhe me foto se si trajtimi rinon lëkurën për të paktën 5 vite.
Lajmi i publikuar në portalin Newsraport
Ja se si e prezanton zgjidhjen portali online:
“Një metodë që përdoret gjerësisht dhe shumë efikase është ajo me vezë. Falë prezencës së vitaminave, proteinave dhe kripërave minerale, veza arrin të japë menjëherë një efekt lifting. Përdorni vetëm të bardhën e vezës, duke e aplikuar në zonën ku keni më shumë rrudha. Lëreni të thahet dhe më pas fshijeni me një copë pambuku të njomur me ujë…”
Kjo këshillë siç vjen falas, nuk përmend asnjë studim shkencor apo qoftë edhe një mjek apo dermatolog që ta sugjerojë përdorimin e një formule të tillë si efektive në mirëmbajtjen e lëkurës.
Në këtë këshillë ka pjesërisht një të vërtetë: E bardha e vezës tendos lehtë lëkurën për shkak të nivelit të lartë të proteinës dhe ujit që përmban. Nga ana tjetër, në këtë shkrim nuk përmenden aspak rreziqet apo efektet anësore që mund të sjellë përdorimi i të bardhës së vezës në fytyrë, kur lista e gjatë e tyre gjendet lehtësisht në pothuajse çdo portal mjekësor mediatik.
“Faktoje” konsultoi disa prej këtyre burimeve serioze mjekësorë si përshembull healthline.com për të konfirmuar se rreziku kryesor që vjen nga vënia në jetë e një këshille të tillë është infeksioni me Salmonelë. Përdorimi i vezës së pagatuar në fytyrë mund të shkaktojë infektimin me bakterin e rrezikshëm që gjendet lehtësisht në vezët dhe mishin e pagatuar. Gjithashtu, efekte të tjera të padëshiruara që mund të sjellë aplikimi i vezës në lëkurë janë edhe reaksionet alergjike të lëkurës, irritimet si dhe infeksionet që mund të ndodhin nëse lëkura ka të çara të vogla apo dëmtime të tjera në zonën ku bëhet aplikimi.
Artikulli i Healthline, i konsultuar me ekspertw mjekwsorw tw cituar nw prezantimin e tij
Të gjitha burimet e informacionit serioze për këshilla mjekësore nuk harrojnë të kujtojnë këshillën më të rëndësishme për çdo lexues, faktin se para se konsumatorët të ndërmarrin teste të tilla në kushte shtëpie, duhet të konsultohen me dermatologë, me mjekë dhe të njihen me pasojat e padëshirueshme që ato mund të kenë.
Duhet të nënvizohet se këshillat që qarkullojnë në rrjet mund të frymëzohen nga studime të ndryshme, një prej të cilëve edhe ky i publikuar nga National Center for Biotechnology, mbi efektet pozitive të vezës në shëndetin e lëkurës. Por, kujdes, kërkuesit flasin për përdorim të përmbajtjes së vezës si lëndë e parë për përgatitjen e disa kremërave në laboratore farmaceutike dhe jo krijimin në kushtet e shtëpisë të maskave që mund të kenë efekte anësore të rënda.