BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVerifikimi që “djeg” këshillat për specat në çorape

Verifikimi që “djeg” këshillat për specat në çorape

Granit Sokolaj 

Prej kohësh në portale qarkullon lajmi se vendosja e specave djegës në çorape sjell shumë përfitime shëndetësore. Nga verifikimi që Faktoje i ka bërë lajmit rezulton se informacioni ka ndryshuar aq shumë nga portali në portal, sa është kthyer në një artikull dezinformues dhe manipulativ për të marrë sa më shumë klikime duke deformuar kështu tërësisht thelbin.

Në portale riciklohet shpesh një lajm që flet për përfitimet e mëdha të përdorimit të specave djegës, por jo për konsum, por duke i vendosur ato në brendësi të çorapeve. Një lajm i tillë nisi të riqarkullojë edhe këto ditë në portalin thelajme.co.

Artikulli i portalit thelajme.co

Që në titull, lajmi tenton të tërheqë lexuesin duke përmendur se një veprim i tillë shëron nga një sëmundje. Por në shkrim, nuk pasqyrohet qartë se për cilën sëmundje bëhet fjalë.

“Ndërsa plakemi, qarkullimi në këmbët tona nuk është aq i mirë sa dikur dhe mund të na duhet ndihmë për t’i mbajtur komod, shkruan Bright Side, transmeton Insajderi. Specat djegës mund të ngrohin këmbët tuaja. Të gjitha specat përmbajnë një përbërës të quajtur kapsaicinë. Kur hani diçka që përmban këtë përbërës, ajo rrit qarkullimin në trupin tuaj. Gjithashtu, kur ky përbërës bie në kontakt me lëkurën, bën që enët e gjakut të zgjerohen, duke nxitur rrjedhjen shtesë të gjakut dhe duke siguruar ngrohtësi në zone,” shkruan portali duke lënë të kuptohet se kjo mënyrë e përdorimit të specave përmirëson qarkullimin e gjakut, pa përmendur sëmundje të tjera konkrete.

Portali i referohet një shkrimi të brightside.me dhe përgjithësisht i ka qëndruar besnik përkthimit nga anglishtja. Por duke bërë një gjë të tillë, nuk ka mundur t’i qëndrojë besnik titullit totalisht të pasaktë që ka vënë për të rritur klikimet.

Në shkrimin referures nuk flitet për sëmundje dhe as efekte të mrekullueshme për përdorimin e specave nën çorape. Ky artikull ka një titull normal, aspak ‘bombastik’, që tenton të bindë lexuesit se përse ndonjëherë duhen përdorur specat djegës edhe në këtë mënyrë, kryesisht për të ngrohur këmbët e ftohta gjatë stinës së dimrit.

Përsa i përket fenomenit, nuk gjendet në asnjë botim shkencor, studim apo publikim, fakti se kjo mënyrë e vendosjes së specave djegës përmirëson qarkullimin e gjakut tek njerëzit.

Të gjitha studimet shkencore kanë arritur të vërtetojnë deri më sot, se qarkullimi i gjakut përmirësohet duke i konsumuar specat djegës.

I tillë është edhe studimi shkencor i publikuar nga Science Direct, faqja e internetit që ofron bazën më të gjerë të të dhënave bibliografike dhe botimeve shkencore e mjeksore, ku shpjegohet qartë se si përmirësohet qarkullimi i gjakut e ulet presioni i tij duke konsumuar speca djegës.

Studimi i publikuar në ScienceDirect në vitin 2010

Po kështu edhe researchgate.net, faqja e krijuar për të lidhur botën e shkencës dhe për ta bërë kërkimin të hapur për të gjithë, flet për përfitimet mahnitëse që njerëzit kanë pas konsumit të specave djegës (për ata që mund të durojnë djegësinë e tyre). Në studimin e publikuar më poshtë pasqyrohet qartë se si konsumi i specave djegës stimulon qarkullimin e gjakut dhe ul ndjeshëm presionin e tij.

Një formë tjetër e përdorimit të specave, më konkretisht lëndës “magjike” të kësaj perimeje (capsicum) është përpunimi dhe adaptimi në formë mjekësore në çorapet që përdoren për qarkullimin e mirë të gjakut për të gjithë personat që rrezikojnë trompozat. Ky përdorim i përbërjes së specit djegës, mund të ketë shërbyer si frymëzim për fantazinë e shfrenuar të atyre që kanë menduar të këshillojnë në portalet e tyre që specat të mbahen brenda çorapeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img