Gruri shqiptar mbetet stok!

Shqipëria ble në Serbi, Rusi dhe Ukrainë

1037

Shqipëria shtoi sipërfaqet e mbjella me grurë pas nisjes së luftës në Ukrainë në përpjekje për të siguruar furnizimin në një situatë pasigurie. Por gruri i mbjellë në tokat shqiptare ka mbetur stok në shtëpitë e fermerëve pasi tregëtaret nuk hoqën dorë nga importi i drithërave. Pavarësisht luftës, Shqipëria bleu tonelata të tëra me drithëra nga Serbia, Rusia dhe Ukraina.

Esmeralda Topi

Fermerët në Shqipëri shtuan sipërfaqet e mbjella me grurë këtë vit me shpresën se tregëtarët do të blinin grurin vendas, për të zbutur varësinë nga importi në kohë pasigurie nga agresioni rus në Ukrainë.

Ahmet Kaloshi një fermer nga fshati Gradishtë i Divjakës mbolli 500 hektarë me grurë, por sot ka më shumë se gjysmën e grurit të pashitur.

“Një pjesë e shita si me e fal dhe tjetrën e kam në magazinën e shtëpisë. 25 ton grurë pa shitur.”, thotë ai, duke shtuar se tregëtarët e mëdhenj nuk kanë interes për grurin vendas pasi sërish kanë blerë grurë nga Ukraina.

“Ne gjysma e grurit na ra në tokë duke pritur që të vinin e të na e blinin. Po gruri nuk pret, 10 ditë fushatë është. Por tregëtarët nuk e merrnin dhe nuk është punë cmimi. Të gjithë kanë marrë nga jashtë. Këta të grurit e kanë blerë me 220 mijë lek (të vjetra) tonin e grurit nga Ukraina. I kanë sjell me vaporë në Durrës dhe nuk janë të interesuar për grurin tonë.”, thotë i zhgënjyer fermeri.

Lufta nuk e frenoi importin e drithërave

Të dhënat e sigurura nga Instituti i Statistikave tregojnë se vitin e kaluar Serbia ishte tregu kryesor i importit të drithërave në Shqipëri, ndryshe nga një vit më parë ku importet i kryesonte Rusia. Sipas të dhënave të INSTAT, drithërat e blera në Serbi në fund të 2022 rezultojnë mbi 100 mijë ton, ndërsa sasia e drithit të blerë në Rusi 75 mijë ton. Lufta ka përgjysmuar sasinë e drithërave të marrë nga Rusia, por sërish sasia e importeve me Rusinë mbetet e lartë. Në vend të tretë, renditet Ukraina. Vitin e shkuar Shqipërisë i kanë ardhur si furnizim nga Ukraina 22 mijë ton drithëra. Krahasuar me vitin 2021, sasia e drithit të importuar nga vendi i luftës është dyfishuar.

Burimi: INSTAT

Vitin e kaluar, sasia e drithërave të importuar në total arrin në 241 mijë ton. Ndonëse peshën më të madhe e mban Serbia, Rusia dhe Ukraina, pasiguria e luftës i orientoi tregtarët shqiptarë drejt tregjeve të reja.

Sipas shifrave të përpunuara nga INSTAT, mbi 44 mijë ton drithëra, Shqipëria i ka siguruar nga Italia, Bullgaria, Kina, Franca, Maqedonia e Veriut, Rumania, Kroacia, Spanja dhe Greqia.

Burimi: INSTAT

Drithëra ‘Made in Albania’

Në vitin 2022, sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i drithërave në Shqipëri arriti në 690 mijë ton. Në ndryshim nga një vit më parë, sasia e prodhimit u ul lehtë.

Burimi: INSTAT

Peshën më të lartë të prodhimit të drithërave e mban Qarku i Fierit me 171 mijë ton, ndjekur nga Elbasani dhe Korça.

Nga ana tjetër, referuar të dhënave të INSTAT, totali i prodhimit të grurit në fund të vitit 2022 rezulton 233 mijë ton, me një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2021 ku prodhimi i grurit arrinte në 225 mijë ton.

Burimi: INSTAT

Në këtë total prodhimi përfshihet sasia e grurit që del në treg, sasia që përdoret për vetëkonsum dhe pjesa që përdoret si ushqim për kafshët.

Pse gruri vendas ka çmim më të lartë se importi?

Shqipëria vijon t’i sigurojë drithërat në import për shkak të cmimeve më të lira krahasuar me prodhimin vendas.

“Një nga arsyet është dhe 0 TVSH në blerje nga fermerët dhe 20% TVSH në shitje. Fabrikat nuk kanë interes të blejnë tek fermeret sepse paguajnë 20% tatim mbi xhiro. Edhe për këte ne kemi derguar në Kuvend një projektligj që përcakton barazimin e TVSH-së, por drafti nuk u fut në kalendar.”, thotë ish-kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka duke shtuar se ky projektligj që u hartua nga Sindikata e Fermerëve me ndihmën e IDN-së, Komitetit të Helsinkit dhe deputetin e Partisë Agrare, Agron Duka, nuk u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Ne morëm zgjidhjen për situatën e bujqësisë në vend nga ligji ‘Për bujqësinë dhe zhvillimin Rural’ në Maqedoninë e Veriut, por i votoi vetëm opozita dhe deputeti Erjon Braçe nga pozita.”, thotë z. Sharka.

Ligji “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural” në Maqedoninë e Veriut parashikon masa të posaçme që ndërhyjnë për stabilizimin e tregjeve të produkteve bujqësore, të cilat mund të zbatohen kur ndodh çrregullimi midis ofertës dhe kërkesës së tregut. Këto masa përfshijnë edhe grumbullimin e grurit nga shteti,duke përcaktuar çmimet.

Ky ishte modeli ku ishte bazuar nisma ligjore e propozuar në Kuvend.

Drafti propozonte krijimin e një Agjencie në varësi të Ministrisë së Bujqësisë e cila të kishte si objekt kryesor aktivitetin, studimin e tregut bujqësor, orientimin e fermerëve dhe publikimin e materialeve informuese për ta.

Në projektligjin e propozuar theksohej se do të ishte kompetencë e Agjencisë së re, edhe blerja e produkteve bujqësore që kanë krijuar stoqe, ose si veprimtari për stabilizim të tregut.

Agjencia, ndër të tjera, do të kishte detyrë të analizonte në mënyrë sistematike dhe historike, volumin e prodhimit, importet, eksportet dhe çmimet.

Bllokada e Rusisë në Detin e Zi

Që nga përfundimi i marrëveshjes së grurit midis Rusisë dhe Ukrainës, sulmet kundër anijeve tregtare të të dyja palëve janë shtuar. Rusia bllokoi marrëveshjen në muajin korrik duke bombarduar gjithnjë e më shumë portet e Ukrainës dhe duke kërcënuar se do të sulmojë anijet e mallrave. Në këtë situatë, ccmimi i grurit në tregjet e huaja po shënon rritje. Dhe ministria e Bujqësisë në Shqipëri thotë se kjo situatë mund të kthehet në favor të fermerëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli, tha për “Monitor” se institucionet shtetërore janë duke monitoruar ccdo ditë situatën për ecurinë e çmimeve të grurit në tregun vendas dhe veçanërisht në bursat e huaja.

Z. Tarelli theksoi se për shkak të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi, prej 20 korrikut çmimet e grurit në tregjet e huaja kanë shënuar tendencë në rritje, e cila automatikisht do të reflektohet edhe në tregun vendas.

Por ish kreu i sindikatës së fermerëve Eduart Sharka nuk është optimist.

“Jo, nuk shoh ndonjë mundësi që fermerët ta shesin grurin e mbetur stok pas bllokadës sepse ka cilësi të dobët, dhe fermerwt pwr shkak tw mungesws sw investimeve nuk arrijnw ta ruajnw nw kushtet e duhura. Ndaj dhe tregëtarët nuk kanë interes ta marrin. Gruri është artikull që ka lidhje me sigurinë kombëtare, ndaj duhej ndërhyrja e qeverisë si në Maqedoninë e Veriut.”, thekson ai.

Në këto kushte, ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se vitin e ardhshëm sipërfaqet e mbjella me grurë do të pakësohen ndjeshëm, pasi fermerët nuk po gjejnë treg.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli