BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE rreme foto e “lazerit gjigand” që pretendohet se shkaktoi zjarret në Hawaii

E rreme foto e “lazerit gjigand” që pretendohet se shkaktoi zjarret në Hawaii

Konspiracionistët po pretendojnë se zjarre vdekjeprurëse në ishullin Hawaiian të Maui janë vënë me qëllim, me anë të një lazeri. Verifikimi i “Faktoje” tregon se dy fotografi që sillen si provë për këtë pretendim janë të vitit 2018 dhe tregojnë nisjen e një rakete në Kaliforni dhe një djegie të kontrolluar në Ohio.

—————————————–

Zjarret që kanë nisur në ishullin Hawaiian të Mauit më 8 gusht 2023 kanë vrarë mbi 90 persona, duke i bërë ato fatkeqësinë më vdekjeprurëse natyrore që ky shtet i ShBA ka parë ndonjëherë në historinë e dokumentuar.

Megjithëse shkaku i saktë i fillmit të këtyre zjarreve nuk është përcaktuar ende, autoritetet Hawaiiane kanë thënë se thatësira dhe era e fortë kanë krijuar kushte të përshtatshme për nisjen e tyre.

Guvernatori i Hawaii, Josh Green tha se “është një produkt, në vlerësimin tim, i ngrohjes globale, bashkuar me thatësirën, bashkuar më një super stuhi, ku kishim një uragan disa qindra milje larg bregut që ende gjeneronte erë të fortë.”

Uragani Dora, i kategorisë 4, kontribuoi në rryma të forta ajrore me shpejtësi mbi 96 km/orë që rrëzoi linja elektrike. Sipas Washington Post, kompania elektrike e Hawaii nuk mori masat e duhura për të parandaluar zjarrin, specifikisht, nuk ndërpreu rrymën në zonat ku priteshin erëra të forta.

Megjithatë, konspiracionistët, përfshi edhe ata shqipfolës, kanë nxituar t’ia veshin fajin për nisjen e zjarreve në Maui ndonjë komploti sekret.

Fotografi të cilat pretendohet se tregojnë “një rreze lazer që del nga qielli drejtpërdrejt në qytet” po qarkullon në internet si ‘dëshmi’ e këtij komploti.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se foto në të djathtë nuk tregon një rreze lazeri, por vazhdën që la pas raketa Falcon 9 në 2018, kur u hodh në hapësirë nga baza ajrore Vandenberg, në Kaliforni.

Foto e vazhdës të lënë pas nga një raketë e SpaceX në 2018

Ndërkohë, foto që tregohet në videon majtas, është postuar në internet po në 2018, pra 5 vite përpara zjarrit në Maui. Ajo është postuar në komentet e një postimi në Facebook nga një media lokale e Canton, Ohio.

“Ajo që dukej si një zjarr i madh nga larg ishte rafineria Marathon me një djegie të kontrolluar. Kush tjetër e pa? Nëse keni foto ose video, ndajini. Do të donim t’i shihnim.”

Postimi i referohet një djegieje të kontrolluar që ndodhi në një rafineri nafte në Canton, Ohio, në Janar të 2018. Ai i kërkon gjithashtu lexuesve të ndajnë në komente foto nga kjo djegie.

Kështu, sipas konsiracionistëve, ngrohja globale është një gënjeshtër. Nisja e një rakete në Kaliforni dhe një djegie e kontrolluar në një rafineri nafte në Ohio, të dyja ngjarje të 5 viteve më parë, janë shkaktarët e vërtetë të zjarreve në Maui. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img