BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUshtria franceze nuk është larguar nga Nigeri pas grushtit të shtetit

Ushtria franceze nuk është larguar nga Nigeri pas grushtit të shtetit

Lajmi se trupat ushtarake franceze po tërhiqen nga Nigeri në Çad mbetet i pakonfirmuar. Pas grushtit të shtetit të 16 korrikut në Niger, Franca pezulloi të gjitha marrëveshjet ushtarake me shtetin, por nuk ka tërhequr forcën prej 1500 trupash.

————————————-

26 korrik 2023, në shtetin e Nigerit, në pjesën perëndimore të Afrikës, ndodhi një grusht shteti. Garda presidenciale e vendit arrestoi presidentin Mohamed Bazoum dhe kreu i tyre, gjeneral Abdourahamane Tchiani u vetëdeklarua lideri i një junte të re ushtarake.

Si pasojë, kufijtë e Nigerit u mbyllën, dhe puna e institucioneve shtetërore u pezullua.

Ky grusht shteti u shoqërua me një sërë pretendimesh në rrjete sociale. Një prej tyre është se Franca po tërheq trupat e stacionuara në Niger, si pasojë e grushtit të shtetit.

Ky pretendim shoqërohet edhe me një video e postuar mesa duket fillimisht në një kanal telegram në rusisht, që duket se tregon disa kamionë ushtarakë duke lëvizur në një rrugë të populluar.

“Faktoje” nuk arriti ta gjente nëse kjo video është postuar më parë në rrjet, por një nga shenjat identifikuese në video janë targat e mjeteve vendase. Mjeti që ngjason më një triçikël taksi dallohet që mban targën 14M7954E, një format i targës që nga verifikimi rezulton të jetë i përdorur në Çad dhe jo në Niger. 

Skema aktuale e targave të Çadit u prezantua në vitin 2001. Ajo bazohet në sistemin francez FNI dhe ka një format ku dy numrat e parë bazohen në kodin e rajonit, gërma e tretë tregon llojin e mjetit dhe katër shifrat dhe gërma e fundit janë seria përkatëse e targës. Në rastin e targës së identifikuar në video në mjetin në ngjyrë të verdhë (14M7954E), 14 i përket rajonit Waddai në Çad, M tregon llojin e mjetit motoçikletë dhe numrat e tjerë janë serialë. Në një moment të videos, mund të identifikohet se dhe mjeti i dytë në video, motoçikleta në ngjyrë të gjelbër, mban të njëjtën kod targimi 14M……   

Majtas formati i targave të Nigerit dhe djathtas ai në Çad

Franca ka vendosur prej disa vitesh rreth 1.000 trupa ushtarake në Çad, të cilat ndihmojnë në operacionet ushtarake ndaj grupit terrorist të Boko Haram, të shtrirë në disa nga vendet e rajonit, mes të cilëve dhe Nigeri. Prezenca e kamionëve të ushtrisë franceze në Çad nuk është diçka e re dhe nuk provon se trupat franceze kanë lënë bazën e tyre në Niger. 

Sa i përket statusit të trupave franceze në Niger, burimet zyrtare franceze apo njoftimet nga junta nuk kanë bërë me dije për ndonjë lëvizje të tyre deri më tani.

Pas marrjes së pushtetit, junta ushtarake anulloi një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi ushtarak që Nigeri kishte nënshkruar me Francën. Një zëdhënës nga ushtria franceze, gjithashtu, deklaroi se marrëveshjet ushtarake janë pezulluar, “duke qenë se marrëveshjet janë firmosur më autoritetet legjitime të Nigerit, të cilat nuk janë të tilla për momentin.”

Megjithatë, asnjë prononcim nuk është bërë deri më tani mbi 1000-1500 trupat franceze që ndodhen në Niger që prej vitit 2014, për të ndihmuar në luftën kundër grupeve kryengritëse islamiste. Ambasadorja e Nigerit në Francë, Aïchatou Boulama Kané, tha se “shpresonte që nuk do të vijë puna deri tek tërheqja e trupave franceze,” që do të ishte një “hap serioz prapa sa i përket sigurisë”. Trupat franceze janë të vendosura në një bazë ajrore pranë qytetit të Niamey së bashku me njësitë ushtarake amerikane. Baza disponon mjete ajrore luftarake si dhe sisteme moderne për monitorimin e veprimeve në terren ndaj milicive terroriste në rajon. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img