MARJO BRAKAJ
Raportimet e vazhdueshme të medias përtej kufijve për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga Shqipëria, siç është rasti i Rai 3, kanë rikthyer vëmendjen tek ky fenomen. Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Lleshaj kanë përgënjeshtruar këto raportime duke i shoqëruar edhe me etiketime të tipit “turp gazetaresk”. Por a është rikthyer vërtetë fenomeni i kultivimit në masë të kanabisit në vend?
………………………………………………………………………………………………………………………………
Gjatë seancës plenare të kësaj të hëne në Kuvend, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i thirrur në interpelancë deklaroi se “treguesit objektivë” vërtetojnë se niveli i kultivimit të kanabisit në Shqipëri është ulur në nivele historike. Për të konfirmuar këtë argument, Lleshaj iu referua kanabisit të kapur nga Italia gjatë vitit 2019.
Lleshaj: Në 2019 kemi minimum historik të kultivimit të kanabisit. Përgjithësisht kanabisi është prodhuar për trafikim dhe “klienti” kryesor ka qenë Italia. Nga burime italiane në 2019 janë trafikuar, janë kapur 1448 kg kanabis, nga 6586 një vit më parë, apo mijëra e mijëra në historinë tonë. Kjo sipas italianëve.
Nëse marrim të mirëqenë të dhënat e Lleshajt për Italinë, që sipas tij rezulton të jetë “klienti” kryesor i kanabisit të kultivuar në Shqipëri, rezulton se ka një të pavërtetë. Bazuar tek të dhënat që “Faktoje” disponon, rezulton se gjatë 2019-s, “klienti” kryesor i kanabisit “made in Albania” është Greqia. Nëse Italia vitin e kaluar kapi 1448 kg kanabis, për të njëjtën periudhë autoritetet greke kanë kapur thuajse 5-fishin e kësaj sasie.
Të dhënat zyrtare për lëndën narkotike kanabis të kapur në kufi me Shqipërinë, “Faktoje” e mori nga një kërkesë zyrtare drejtuar policisë greke. Nga raporti i Policisë së Greqisë, rezulton se vitin e kaluar u kapën 5,589 kg kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Në të njëjtin raport vërehet se janë proceduar penalisht 72 persona dhe janë sekuestruar edhe sasi, relativisht të vogla të heroinës dhe kokainës.
Raporti i Policisë së Greqisë për drogën e kapur nga Shqipëria gjatë vitit 2019
“Faktoje” pyeti edhe autoritet policore të Maqedonisë së Veriut mbi sasinë e drogës, me prejardhje nga Shqipëria të kapur gjatë vitit 2019. Sipas të dhënave nga Policia e Maqedonisë së Veriut rezulton se janë kapur 383.6 kg kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Në raport evidentohen edhe 18 procedime penale ndaj shtetasve shqiptarë lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike.
Raporti i Policisë së Maqedonisë së Veriut për drogën e kapur nga Shqipëria gjatë vitit 2019
Fenomenin e kultivimit të kanabisit në masë në vendin tonë, përveç gazetarëve të huaj, e pohon edhe raporti i publikuar nga Agjencia Investigative Antimafia në Itali për periudhën janar-qershor 2019. Në raportin e DIA-s, të cilit “Faktoje” iu referua në një shkrim të disa ditëve më parë, thuhet se Shqipëria rezulton ende në hartën globale të vendeve kultivuese të lëndëve narkotike. Raporti i DIA-s tregon se vendi ynë renditet listën e shteteve që kultivojnë më së shumti lëndë narkotike.
Policia e Shtetit ende nuk ka publikuar një raport final mbi sasinë e drogës së kapur gjatë vitit 2019, parcelat e evidentuara apo shtetasit e proceduar. Por, raportet e autoriteteve të Greqisë, Italisë e Maqedonisë së Veriut konfirmojnë se fenomeni i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit po njeh sërish rritje.