BallinaPertejMbaron afati për heqjen e depozitave

Mbaron afati për heqjen e depozitave

MERXHAN DACI

Pas tërmetit të 26 nëntorit, kur 140 pallate të ndërtuara para viteve 1990 në Tiranë u dëmtuan, Bashkia vendosi 30 janarin si afat për heqjen e depozitave. Në nisje të muajit shkurt, siç verifikoi në terren “Faktoje” depozitat nga pallatet e vjetra në Tiranë ende nuk janë hequr.

————————————————————————————————

Në mesin e muajit dhjetor të vitit të shkuar Këshilli Bashkiak i kryeqytetit mori një vendim të ardhur nga dëmet që solli tërmeti i 26 nëntorit, sidomos tek pallatet e ndërtuata gjatë viteve ’90 dhe më parë.

Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Sipas vendimit, depozitat e ujit do të lejohen në tarracat e pallateve vetëm pas hartimit të raportit të ekspertëve të ndërtimit që vërteton se konstruksioni mbajtës i tarracës dhe i gjithë godinës lejon vendosjen e tyre.

Erind Bejko, drejtor i Emergjencave në Bashkinë e Tiranës tha për News 24 se procesin do ta bëjnë kryesisht vetë banorët dhe se pas mbarimit të afatit do të ndërhynin autoritetet.

Sapo ka hyrë muaji shkurt dhe depozitat nga thuajse 1500 pallate të vjetra, në pjesën më të madhe nuk janë hequr.

“Faktoje” sjell foto të shkrepura këtë të shtunë, 1 shkurt të disa pallateve nëpër lagjet e Tiranës. Ato tregojnë se banorët kanë refuzuar heqjen e depozitave sipas afatit të vendosur nga bashkia.

Pallat tek Rruga Myslym Shyri
Zona e Pazarit të Ri
Pallat afër Ambasadës Amerikane
Pallat tek Rruga Myslym Shyri

Premtimi “ujë 24 orë, pas heqjes së depozitave”, shumë i bukur për të qenë i vërtetë!

shkrimin e para disa ditëve, “Faktoje” tregoi se si po shkonte procesi i heqjes së depozitave në Tiranë. Banorë të lagjeve të ndryshme në kryeqytet, gjatë verifikimit në terren, na thanë se nuk do t’i hiqnin depozitat pa u siguruar më parë se do të kishin ujë të mjaftueshëm dhe jo me orar.

Bashkia e Tiranës, që prej 16 dhjetorit 2019, ka dhënë informacion të vakët për ecurinë e këtij procesi, që ka lidhje me nevojat jetike të banorëve.

Gjatë një inspektimi në Selitë, kryetari Erjon Veliaj tha se “ata që përfitojnë të parët nga heqja e depozitave janë vetë banorët e atij komuniteti. Do të vazhdojmë me këtë efekt domino në të gjitha lagjet e Tiranës për ta rritur ujin në 24 orë”.

Ujë 24 orë nëpër lagje, është ende një ëndërr për banorët e Tiranës, ndaj deri në realizimin e saj duket se ata s’kanë për t’i “lëshuar” lehtë depozitat.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img