BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëGjysmë e vërteta e Veliajt për shkollat e reja në Tiranë

Gjysmë e vërteta e Veliajt për shkollat e reja në Tiranë

ANXHELA RUÇI

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj në një prej deklaratave publike, tha se paraardhësi i tij Lulzim Basha nuk ka ndërtuar asnjë shkollë në Tiranë, ndërsa ai vetë ka nisur çdo vit me një shkollë të re. Verifikimi i “Faktoje” përmes vetë Bashkisë së Tiranës tregon një të vërtetë ndyshe nga llogaritë e Veliajt.

————————————————————————————————————————————————————-

Erion Veliaj ka marrë prej qershorit të këtij viti mandatin e dytë 4-vjeçar në krye të Bashksë së Tiranës. I ftuar në emisionin Real Story, qytetari i parë i Tiranës bëri një sërë deklaratash për arritjet dhe investimet, por nuk munguan edhe krahasimet me paraardhësin e tij Lulzim Basha, i cili drejtoi bashkinë gjatë viteve 2011-2015.

“Në kohën e Lul Bashës si kryetar bashkie, në katër vjetë, zero shkolla nga themelet. Në pesë vite unë kam nisur çdo shtator me një shkollë të re”, tha Erion Veliaj në emisionin Real Story.

Nisur nga kjo deklaratë, “Faktoje” kërkoi informacion nga Bashkia Tiranë se sa është numri i shkollave të ndërtuara gjatë mandatit të Lulzim Bashës (2011-2015) dhe numrin e shkollave të ndërtuara gjatë drejtimit të Erion Veliajt (2015-2019).

Sipas informacionit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike (DPPP) në Bashkinë Tiranë, në kohën kur Lulzim Basha ka qenë kryetar i Bashkisë Tiranë është ndërtuar shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi” në zonën e Laprakës. Financimi për këtë institucion është mundësuar nga Bashkia Tiranë dhe Fondi për Zhvillim Rajonal (FZHR), dhe vlera është afërsisht 290 milionë lekë.

Shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”, Laprakë

Kjo shkollë është inaguruar në fillim të vitit të ri shkollor 2014-2015 dhe asokohe kishte 25 klasa, 6 laboratorë, palestër, sistem ngrohje me paletë etj..

Të dhënat e vëna në dispozicion nga DPPP në Bashkinë Tiranë, hedhin poshtë deklaratën e Veliajt se Lulzim Basha nuk ka ndërtuar asnjë shkollë të re në kohën që ka drejtuar bashkinë më të madhe në vend.

Ndërsa nga viti 2015, që prej marrjes së mandatit të parë nga Veliaj e në vijim, sipas DPPP Tiranë janë ndërtuar 4 shkolla. Por nga kërkimet e “Faktoje” rezulton se janë ndërtuar 5 shkolla 9-vjeçare.

Të dhëna e vendosura në dispozicion nga DPPP Tiranë

Më konkretisht në periudhën kohore 2015-2019 janë ndërtuar shkollat:

Shkolla 9-vjeçare “Hasan Tahsin”, Njësia nr.2

Shkolla 9-vjeçare “Betim Muço”, Kombinat

Shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi”, Bregu i Lumit

Shkolla 9-vjeçare “Kosova”,  Rruga e Elbasanit

Shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi”, Njësia nr.8

Nga verifikimi i “Faktoje” rezulton se në deklaratën e Veliajt ka një fakt të pavërtetë dhe një fakt të vërtetë, për këtë arsye, deklarata e tij do të kategorizohet si GJYSMË E VËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img