BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGjykata e Floridës nuk ekspozoi të majtën pas kontrollit të shtëpisë së Trump

Gjykata e Floridës nuk ekspozoi të majtën pas kontrollit të shtëpisë së Trump

Bllokimi i përkohshëm ligjor ndaj hetimit të dokumentave sekrete të sekuestruara në vilën e tij private, është larg të qenit një fitore e Trump ndaj FBI dhe të majtës amerikane. “Faktoje” verifikoi vendimin e plotë të gjykatës së Floridës si dhe ecurinë e mëtejshme të betejës ligjore më të ndjekur në Botë.

Nevila Gjata

Portali PatriotikMedia njofton më 11 tetor një “Fitore të madhe të Trump” në lajmin me titull “Gjykatësi ekspozon të vërtetën rreth bastisjes së shtëpisë së tij në Mar-a-Lago nga FBI”.

(screenshot e lajmit te publikuar nga patriotikmedia.com)

Portali e mbështet këtë fitore të ish-presidentit në vendimin e gjykatëses Aileen Cannon, e cila vendosi të pranojë kërkesën e Trump për të caktuar një ekspert të pavarur, për shqyrtimin e dokumente të marra nga FBI-ja në shtëpinë e tij në Florida. Formati i tekstit ngjan më shumë me një opinion personal të dikujt pranë republikanëve, që “argumenton se ky vendim zbulon “pwrdorimin e FBI nga tw majtwt” si dhe e mbyll mendimin e tij me bindjen për “…një fitore masive në zgjedhjet e 2024”, duke krijuar përshtypjen se është përkthyer në shqip nga një analizë e publikuar në shtypin amerikan.

Për të hedhur më tepër dritë për publikun shqiptar, “Faktoje” sjell një përmbledhje të vendimit të gjykatëses së Floridës si dhe çfarë ka ndodhur më pas me urdhrin e saj.

Më 8 gusht të këtij viti, FBI ekzekutoi një urdhër kontrolli në pronën e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida. Një gjykatës federal firmosi urdhrin me argumentin se, kishin arsye të mundshme për të besuar se një krim ishte kryer. Kontrolli u përqendrua në zyrat dhe ambjentet personale të Trump në rezidencën e tij dimërore ndërsa ish-presidenti ndodhej në Nju Jork.

Një përmbledhje e dokumenteve të marrë nga Mar-a-Lago renditi 11 grupe të dhënash të klasifikuara, duke përfshirë katër grupe dokumentesh të etiketuara “Dokumente të ndryshme Top-Sekrete” dhe një me mbishkrimin si “Dokumente të ndryshme të klasifikuara / TS / SCI”. Hetimi i Departamentit të Drejtësisë është ende në fazat fillestare, ndërkohë që prej asaj dite kanë ndodhur jo pak zhvillime.

Me 5 shtator, pra më shumë se një muaj nga publikimi në portalin shqiptar të lajmit, gjykatësja Aileen Cannon vendosi të pranojë kërkesën e ekipit ligjor të Trump, për të caktuar një ekspert të pavarur, për të shqyrtuar dokumentet e marra nga FBI-ja gjatë kontrollit. Në mediat amerikane është përfolur fakti që ish-ndihmësprokurorja, Aileen Cannon, është emëruar nga Trump si gjyqtare për Distriktin Jugor të Floridës në pranverën e vitit 2020, dhe u konfirmua më pas nga Senati, pas humbjes së tij në zgjedhjet e nëntorit.

 

Vendimi argumentoi se eksperti kishte kompetenca për të marrë nga FBI ato materiale që mund të mbrohen nga privilegji avokat-klient, duke caktuar 30 nëntorin si afat. Bëhej fjalë për vetëm 100 dokumente të klasifikuara.

Që prej këtij momenti kanë “rrjedhur shumë ujëra” në çështjen Trump. Vendimi i gjykatëses u kundërshtua menjëherë nga Departamenti i Drejtësisë, me argumentin se një ekspert i posaçëm, nuk ishte i nevojshëm pasi zyrtarët i kishin shqyrtuar tashmë dokumentet që potencialisht mund të konsiderohen të privilegjuara. Departamenti i kërkoi Apelit përmes një mocioni që t’i jepej leja për vijimin e shqyrtimit të materialeve të klasifikuara.

Më 21 shtator një panel i Apelit prej tre gjyqtarësh pranoi (përmes një urdhri prej 26 faqesh) t’u japë hetuesve të Departamentit të Drejtësisë akses në dokumentet e sekuestruara në Mar-a-Lago. Gjithashtu, ky vendim mbështeti kërkesën e Departamentit se nuk është e nevojshme që avokatët e Trump dhe një palë e tretë të shqyrtojë dokumentet që qeveria i ka konsideruar të klasifikuara.

Më 4 tetor Trump dorëzoi ankesë në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar pjesërisht vendimin e Apelit. Avokatët ligjore të Trump pretenduan se gjykatës i mungonte autoriteti për të rrëzuar urdhrin e gjyqtares Cannon që autorizonte ekspertin special të shqyrtonte dokumentet e klasifikuara të marra nga Mar-a-Lago.

Megjithatë, Trump nuk kërkoi të rivendosë urdhrin e Cannon që bllokoi përkohësisht hetuesit penalë të Departamentit të Drejtësisë nga aksesi në dokumentet e sekuestruara, por vetëm të autorizonte ekspertin special të shqyrtonte dokumentet.

Së fundi, më 14 tetor, Gjykata e Lartë e SHBA refuzoi kërkesën e ish-Presidentit Trump duke i dhënë fund edhe kësaj tentative ligjore të avokatëve të tij për të bllokuar hetimet.

Bazuar në këto verifikime mund të konstatojmë se lajmi i publikuar në portalin patriotikmedia.com ndalet vetëm tek një aspekt i urdhrit të gjyqtares (që nuk lidhet me thelbin) pa vijuar me zhvillimet e mëvonshme gjyqësore, duke dale në përfundime të gabuara.

 

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img