Gjuha e urrejtjes mes adoleshentëve në mediat online është kthyer në një problem shqetësues. Faktoje komunikoi me të rinj, prindër edhe mësues, të cilët njëzëri pranojnë se bullizmi dhe gjuha e urrejtes po dëmton adoleshentët. Ata apelojnë për më shumë vëmendje ndaj fëmijëve, por edhe angazhim në aktivtete të ndryshme, në mënyrë që të jenë të dobishëm për veten dhe shoqërinë.
Keida Lila
Adoleshentët shqiptarë po përballen, por dhe po ushtrojnë ndaj njëri-tjetrit, gjithmonë e më shumë gjuhën e urrejtjes nëpërmjet komunikimit online. Përdorimi i një fjalori të vrazhdë, dhunues dhe bullizues bëhet për arsye nga më të ndryshmet, duke filluar që nga paragjykimi për pamjen e jashtme apo edhe për gjendjen ekonomike.
“Jo çdokush mund të ketë veshje të shtrenjta, gjë që lidhet drejtpërdrejt me gjendjen ekonomike. Kjo i vendos shpesh’herë në qendër të paragjykimeve dhe të një lloj dhune verbale dhe diskriminuese të rinjtë sot”, tregon A. 15 vjeç nga Tirana.
Pamja e jashtme është vetëm një prej arsyeve se përse të rinjtë mes tyre stigmatizohen dhe bullizohen. Prejardhja, mënyra se si flasin apo se si sillen, ndryshimi i shkollës janë disa prej arsyeve.
Kanalet e përdorura
Një fenomen shqetësues që vihet re së fundi është se bullizimi ndaj të rinjve po bëhet nëpërmjet kanaleve të ndryshme online, përfshirë mediat sociale.
Kjo dëshmohet për Faktoje nga një adoleshente nga Durrësi, e cila ishte bërë pjesë e bullizmit, pasi ishte regjistruar nga prindërit në një tjetër shkollë. Ndryshimi i shkollës ishte një ngjarje traumatike për E. adoleshenten.
“Prindërit e mi dëshironin të më dërgonin te shkolla ku vëllai im kishte qenë, sepse ishin shumë të kënaqur te ajo shkollë. Këmbëngula shumë, e përjetova shumë keq, por prapë nuk arrita dot t’u mbushja mendjen. Në shkollë, mësuesit ishin të gjithë shumë të mirë, më afronin, por nuk mund të them të njëjtën gjë për nxënësit e klasës, apo edhe ata jashtë klasës”, shprehet e shqetësuar adoleshentja.
Një tjetër rast i bullizmit online është ai i K. një adoleshente po nga qyteti i Durrësit. E reja vihet në lojë dhe ofendohet nga shokët e shoqet, pa asnjë arsye konkrete.
Screenshot, një pjesë nga komunikimi mes adoleshentëve
Ajo që e bën me shqetësues faktin është se komunikimi mes të rinjve degradon deri në ofendime të rënda.
Ky fenomen vihet në dukje edhe nga mësues të gjimnazeve, ku bullizmi është edhe më prezent. “Bullizimi online është po aq i dëmshëm sa bullizimi ballë-përballë. Ky i fundit shkakton në disa raste edhe dhunë fizike, ndërsa dhuna psikologjike nga bullizmi virtual mund të jetë më afatgjatë. Mësuesit duhet në çdo kohë të informojnë nxënësit për rreziqet që vijnë nga interneti, njëri prej të cilëve eshte bullizmi. Kjo kërkon që edhe mësuesit të jenë të informuar për programet dhe funksionimin e internetit. Në mënyrë që të shmanget bullizmi online, koha e fëmijëve duhet të mbahet e zënë. Pra, nxënësit duhet të perfshihen në sa më shumë aktivitete fizike e sociale. Në këtë mënyrë, do të jenë më të dobishëm për veten dhe për shoqërinë”, shprehet Miriam Reci, nga qendra “Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile” në Durrës.
Nga ana tjetër, prindërit theksojnë se duhet më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj fëmijëve.
“Prindërit duhet të ndihen të frikësuar që fëmijët e tyre kanë celular në dorë në çdo kohë. Në vend që të mendojnë se me celular në shtëpi fëmija është i mbrojtur, ata duhet të kuptojnë se fëmija ka në dorë ‘një minë me sahat’. Pra, nga ata kerkohet vigjilencë dhe mirëbesim me fëmijët, që t’u tregojnë në rast se rrezikohen nga ngacmimet online të të njohurve, apo te panjohurve”, thotë prindi i një adoleshenteje.
Në lidhje me këtë çështje, adoleshentët shprehen se për fat të keq, bullizmi është një fenomen shoqëror.
“Bullizmi tashmë është një fakt social. Ai është i pranishëm në të gjitha vendet dhe është një fenomen shoqëror që po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Disa adoleshentë e ndiejnë veten mbizotërues në lidhje me bashkëmoshatarët e tyre. Kjo nxit fenomenin e bullizmit ndërmjet tyre. Kryesisht bullohen adoleshentët e pambrojtur e të vetmuar. Bullizmi sjell pasoja mjaft të rënda, të cilat çojnë deri në vetëvrasje”, thotë 16-vjeçarja nga Durrësi.
*Foto kryesore marrë në web