BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPezullimi i anëtarësimit të Serbisë nuk sjell luftë botërore

Pezullimi i anëtarësimit të Serbisë nuk sjell luftë botërore

Alarmi për rrezikun e shpërthimit të një lufte botërore nga Beogradi rezulton të jetë i rremë. Siç rezultoi nga verifikimi i “Faktoje”, titulli sensacional i portalit “Shqipëria Ime” nuk është i mbështetur në fakte dhe synon të tërheqë sa më shumë klikime, pa u shqetësuar për keqinformimin dhe panikun që përhap tek lexuesit.

Patris Pustina

Titulli ‘bombastik’ i portalit Shqipëria Ime që paralajmëron luftë botërore, pritshëm, është i pavërtetë.


Fjalia e parë ndjek po linjën e panevojshme alarmiste: “Bomba e madhe ka plasur në Serbi.” Pse? Sepse “Bashkimi Evropian po i bën presion presidentit të Serbisë, që të mos vonojë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.”  

Artikulli citon mediat serbe, për të pretenduar se “ndërkombëtarët janë të gatshëm të vendosin sanksione ndaj Serbisë, nëse presidenti Vuçiç nuk merr vendim për vendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse”.

Vetë artikulli e shpjegon në vijim se “bombat” e paralajmëruara supozohet qe do të konsistojnë vetëm në “ndalimin e financimeve në Serbi, cfarë do të sillte rrezikun e humbjes së të paktën 40,000 vendeve të punës, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin dhe më pas sanksionet.”

Në fakt, sipas Nemanja Štiplija, redaktorit të portalit “European ëestern Balkans”, i intervistuar nga Danas, nuk ka mekanizma që do të lejonin ndalimin e financimeve në Serbi, si pasojë e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga qeveria serbe. “Marrëdhënia mes Serbisë dhe BE-së rregullohet ekskluzivisht nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit,” tha Štiplija. “Për rrjedhojë, vetëm masat e parashikuara në kuadrin e negociatave mund të përdoren.”

Kështu, ndalimi i fondeve që rrjedhin nga BE në Serbi, ka pak gjasa të ndodhë, dhe pasojat ‘katastrofike’ që do të sillte një veprim i tillë mbeten vetëm në imagjinatën alarmiste të portaleve.

Sa i përket mundësisë së pezullimit të negociatave për anëtarësim në BE, është e vërtetë që Parlamenti Europian, në një raport të bërë publik në qershor, ka theksuar nevojën që “vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë vetëm nëse shteti vjen në linjë me sanksionet e BE kundër Rusisë.” Grupi social-demokrat ne Parlamentin Europian gjithashtu ka deklaruar se “BE nuk mund të vazhdojë bisedimet e anëtarësimit me Serbinë nëse ata nuk bien në një linjë me BE sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.” Megjithatë, ky version i projekt-raportit do të diskutohet nga pjesëtarë të Parlamentit më 13 tetor dhe versioni final do të dërgohet për votë si rezolutë në nëntor. Rezolutat e Parlamentit, gjithsesi, nuk parashikojnë asnjë detyrim ligjor për shtetet anëtare.

Ndërkohë, siç e thotë dhe vetë artikulli që mban titullin alarmist, presidenti serb Aleksander Vucic ka gjasa të mbështetet tek kryeministri hungarez Viktor Orban për të mbajtur anën e Serbisë në vendimet e brendshme të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Elvira Kovács, presidentja e Komitetit Parlamentar serb për Integrimin Europian, tha për Danas se “nuk ka për të patur ndërprerje të negociatave mes Serbisë dhe Bashkimit Europian. Ne kemi informacion jo zyrtar se grupet më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian kanë rënë dakort për një amendament më të butë se ai i projekt-raportit fillestar, dhe mbi të do të votohet më 13 tetor”.

Çfarë është e sigurt është se, ndërsa pritet rezoluta përfundimtare e Parlamentit Europian dhe një deklaratë zyrtare nga BE, gjëja e fundit që i duhet rajonit në këto kohë tensionesh është alarmizmi që i fryn zjarrit për qëllime kaq banale sa tërheqja e klikimeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img