ANXHELA RUÇI
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri në një postim në Twitter premtoi se rruga hyrëse për në qytetin bregdetar do të ishte gati përpara sezonit turistik me të gjithë parametrat e duhur.
Më 12-13 maj në Sarandë u zhvillua “Festa e midhjes”, ditë që përkoi dhe me çeljen e sezonit turistik, por çfarë ndodhi në të vërtetë me rrugën hyrëse në një prej destinacioneve kryesore të stinës së verës për pushuesit?
Sezoni turistik u çel me një rrugë gjysmë të përfunduar
Edhe pse sezoni turistik u çel zyrtarisht në mesin e muajt maj, pushuesve që kanë zgjedhur apo zgjedhin Sarandën për të kaluar pushimet, i duhet të kalojnë përsëri në një rrugë të papërfunduar.
Sipas vëzhgimit të “Faktoje” , infrastruktura e këtij segmenti rrugor përpara sezonit nuk ishte në parametrat që ministri kishte deklaruar më herët. Pjesa e përfunduar ishte një shtresë asfalti që ishte hedhur në rrugë dhe deri në këtë pikë, deklarata e ministrit është në rregull, por ndërkohë sinjalistika rrugore dhe ndriçimi ende nuk kanë përfunduar duke bërë që deklarata e Gjiknurit të mos jetë plotësisht e vërtetë.
Ministri shtyn afatin dhe me një muaj
Pak ditë më vonë nga çelja e sezonit turistik, nga Saranda Damian Gjiknuri ka shtyrë afatin e përcaktuar nga vetë ai për përfundimin e investimit duke deklaruar: “Besoj brenda një muaji, siç edhe kam komunikuar së fundmi me Autoritetin Rrugor dhe me kompaninë zbatuese, kjo rrugë do të jetë plotësisht e përfunduar me sinjalistikën përkatëse dhe me të gjithë veprat që i përkasin”.
Duke qenë se rruga hyrëse në qytetin bregdetar është gjysmë e përfunduar, deklaratën e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë do ta kategorizojmë si GJYSMË TË VËRTETË.