BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGjermania nuk shkeli embargon për naftën ruse në 2023

Gjermania nuk shkeli embargon për naftën ruse në 2023

Propaganda ruse po promovon ditët e fundit lajmin se Gjermania dhe Polonia kanë kryer porositë e tyre për naftë ruse për vitin 2023, duke shkelur në këtë mënyrë embargon e nisur në fillimin e këtij muaji. Ky lajm rezulton i pavërtetë, të paktën për Gjermaninë, e cila do të furnizohet me naftë nga Kazakistani dhe jo Rusia. 

—————–

Një lajm i publikuar më 21 dhjetor në portalin Hashtag, njofton në gjuhën shqipe se “Gjermania e Polonia porosisin më shumë naftë ruse”

Artikulli vijon të citojë, më pas, kreun e “Transneft”, furnizuesit shtetëror rus të naftës, Nikolay Tokarev. Sipas Tokarev, dy shtetet e BE “njoftuan se nuk do merrnin naftë nga Rusia që nga 1 janari. Megjithatë, ne kemi marrë tashmë kërkesa për ta pompuar atë përmes tubacionit Druzhba nga Polonia dhe Gjermania vitin e ardhshëm.” 

Nga verifikimi ynë, rezulton se ky lajm është publikuar gjerësisht në shtypin zyrtar dhe mediat pro ruse, duke vendosur në këtë mënyrë në dyshim vullnetin e Gjermanisë dhe Polonisë, si dy vende të rreshtuara bindshëm përkrah Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus. 

Artikulli i përkthyer në gjuhën shqipe, i qëndron versionit të këtyre mediave, por nuk përfshin asnjë deklaratë zyrtare nga Gjermania apo Polonia. Kjo paçka se një zëdhënëse nga Ministria e Ekonomisë gjermane deklaroi, më 20 dhjetor, një ditë më parë, se “raportimet se Gjermania ka porositur naftë bruto nga Rusia janë të rreme.” Ajo shtoi se “rafineritë e Leuna dhe Schwedt nuk do të porosisin më naftë bruto ruse në vitin e ri.” Duke filluar nga Janari, rafineria në Schwedt ka “rezervuar kapacitete për naftë nga Kazakistani”

Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Mukhtar Tikeuberdi, tha në 13 dhjetor se Kazakistani është i gatshëm të dërgojë deri në 5 milionë tonë naftë bruto në vit drejt Gjermanisë për të zëvendësuar furnizimet nga Rusia. Megjithatë, naftës kazake do t’i duhet të kalojë nëpër tubacionet ruse. Këtu qëndron edhe “loja e fjalëve” apo gjysëm të vërtetat që ka thënë publikisht zyrtari rus i “Transneft”, i cili flet për rezervime kapacitetesh në tubacion nga dy vendet e BE-së. 

Sa i përket Polonisë, sipas Bloomberg, rafineria polake PKN Orlen, tha muajin e kaluar se porosia e tyre tek Transneft ishte “procedurë standarte” me qëllim rezervimin e kapacitetit potencial të tranzitit. Kompania ishte e gatshme të ndalonte importet e naftës ruse, por për këtë i nevojitej një vendim qeveritar.

 

Shënim:

Data 29 dhjetor 2022: Portali hashtag.al e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin “Gjermania e Polonia porosisin më shumë naftë ruse”.  Pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje lajmi është ndryshuar  https://www.hashtag.al/index.php/2022/12/21/rusia-pretendon-se-ka-marre-kerkesa-per-furnizim-me-nafte-nga-gjermania-dhe-polonia-ministrja-gjermane-e-mohon/?fbclid=IwAR0vLjngxjYz_XarZCE_PUQoG-orsGAADipQM5CYUQ37_UNwjyc_9GrukuA

Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img