BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSatira për origjinën shqiptare të Messit shfrytëzohet për klikime

Satira për origjinën shqiptare të Messit shfrytëzohet për klikime

 

Një artikull satirik mbi origjinën shqiptare të Lionel Messit është shpërndarë në portale ditët e fundit, duke përdorur tituj “bombastik”. Nëpërmjet titujve të tillë, mediat online synojnë tërheqjen e lexuesve, ndonëse kjo është një formë dizinformimi.

—————————————————————————————————————————————–

Që prej mbrëmjes që ngriti kupën e Botës në Katar 2022, shkëlqimi i Lionel Messit është bërë edhe më i fuqishëm. Në këtë vëmendje të shtuar për yllin argjentinas nuk mund të vonojë edhe ringjallja e legjendës së hershme për prejardhjen e tij shqiptare.

Të nesërmen e finales, në një postim të gjatë në profilin e tij në Facebook, gazetari Lutfi Dervishi, vinte në lojë këtë mani tonën për të kthyer në shqiptar çdo personazh të njohur. Ky postim i tij, u publikuar më tej nga disa portale në formën e një opinioni me titullin “Messi, ylli shqiptar në galaktikën kuqezi”, duke u shoqërua gjithashtu me një foto të Mesit të portretizuar përkrah Skënderbeut, mbi sfondin e flamurit shqiptar.  Për të gjithë ata që e njohin penën therrëse të Dervishit, ishte një shaka e bukur, por mesa duket nga komentet si dhe interesi i ndarjes së shkrimit online, jo të gjithë e kanë kuptuar ironinë.

Duke parë këtë interes të lexuesve, disa portale të tjera shkuan edhe më tej me ndarjen e lajmeve plot fantazi mbi Mesin, duke mos njoftuar lexuesit e tyre se bëhet fjalë për lajme të trilluara.

I tillë është rasti i portalit “reklamavip.com”, i cili njofton në titull se “Leo Messi është Shkodran. Gjyshja i thoshte: ‘Luaj të keqen nëneja se nuk ja ka parë hajrin njeri shkollës’’.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali “reklamavip.com

Madje në disa portale është paraqitur edhe me tituj “bombastik”, duke e dhënë për lexuesin si lajm të fundit.

E fundit/ Messi del me origjinë shqiptare!”, shkruan “Noa.al” në një artikull që mban datën 19 dhjetor.

Screenshot, lajmi i publikuar nga “Noa.al

Mirëpo, nëse do të shohim tekstin në brendësi vihet re që kemi të bëjmë me një koment satirik, i cili u është shitur lexuesve si lajm mbi origjinën e yllit të Argjentinës.

Një pjesë e opinionit që tregon qartë se kemi të bëjmë me diçka komike dhe ironike në të njëjtën kohë edhe që Messi: ‘dëshiron të marrë pasaportën shqiptare’.

Messi ka dashur me kohë të marrë pasaportën shqiptare, por nuk ka dashur të hapë sherr mes Shqipërisë dhe Kosovës.  Ai ka ende mbi tryezë ftesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj i cili e ka thirrur për t’i dhënë shtetësinë dhe çelësin e qytetit ku në axhendë parashikohet edhe mbjellja e një peme në kujtim të gjyshes”, shkruan më ironi opionisti në artikullin e shpërndarë.

Nëpërmjet titujve të tillë abuzues, portalet synojnë që të tërheqin klikime me një artikull që është thjesht komik.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img