Propaganda ruse po promovon ditët e fundit lajmin se Gjermania dhe Polonia kanë kryer porositë e tyre për naftë ruse për vitin 2023, duke shkelur në këtë mënyrë embargon e nisur në fillimin e këtij muaji. Ky lajm rezulton i pavërtetë, të paktën për Gjermaninë, e cila do të furnizohet me naftë nga Kazakistani dhe jo Rusia.
—————–
Një lajm i publikuar më 21 dhjetor në portalin Hashtag, njofton në gjuhën shqipe se “Gjermania e Polonia porosisin më shumë naftë ruse”.
Artikulli vijon të citojë, më pas, kreun e “Transneft”, furnizuesit shtetëror rus të naftës, Nikolay Tokarev. Sipas Tokarev, dy shtetet e BE “njoftuan se nuk do merrnin naftë nga Rusia që nga 1 janari. Megjithatë, ne kemi marrë tashmë kërkesa për ta pompuar atë përmes tubacionit Druzhba nga Polonia dhe Gjermania vitin e ardhshëm.”
Nga verifikimi ynë, rezulton se ky lajm është publikuar gjerësisht në shtypin zyrtar dhe mediat pro ruse, duke vendosur në këtë mënyrë në dyshim vullnetin e Gjermanisë dhe Polonisë, si dy vende të rreshtuara bindshëm përkrah Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus.
Artikulli i përkthyer në gjuhën shqipe, i qëndron versionit të këtyre mediave, por nuk përfshin asnjë deklaratë zyrtare nga Gjermania apo Polonia. Kjo paçka se një zëdhënëse nga Ministria e Ekonomisë gjermane deklaroi, më 20 dhjetor, një ditë më parë, se “raportimet se Gjermania ka porositur naftë bruto nga Rusia janë të rreme.” Ajo shtoi se “rafineritë e Leuna dhe Schwedt nuk do të porosisin më naftë bruto ruse në vitin e ri.” Duke filluar nga Janari, rafineria në Schwedt ka “rezervuar kapacitete për naftë nga Kazakistani”.
Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Mukhtar Tikeuberdi, tha në 13 dhjetor se Kazakistani është i gatshëm të dërgojë deri në 5 milionë tonë naftë bruto në vit drejt Gjermanisë për të zëvendësuar furnizimet nga Rusia. Megjithatë, naftës kazake do t’i duhet të kalojë nëpër tubacionet ruse. Këtu qëndron edhe “loja e fjalëve” apo gjysëm të vërtetat që ka thënë publikisht zyrtari rus i “Transneft”, i cili flet për rezervime kapacitetesh në tubacion nga dy vendet e BE-së.
Sa i përket Polonisë, sipas Bloomberg, rafineria polake PKN Orlen, tha muajin e kaluar se porosia e tyre tek Transneft ishte “procedurë standarte” me qëllim rezervimin e kapacitetit potencial të tranzitit. Kompania ishte e gatshme të ndalonte importet e naftës ruse, por për këtë i nevojitej një vendim qeveritar.
Shënim:
Data 29 dhjetor 2022: Portali hashtag.al e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin “Gjermania e Polonia porosisin më shumë naftë ruse”. Pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje lajmi është ndryshuar https://www.hashtag.al/index.php/2022/12/21/rusia-pretendon-se-ka-marre-kerkesa-per-furnizim-me-nafte-nga-gjermania-dhe-polonia-ministrja-gjermane-e-mohon/?fbclid=IwAR0vLjngxjYz_XarZCE_PUQoG-orsGAADipQM5CYUQ37_UNwjyc_9GrukuA
Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.