.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashFushata reklamuese e ZARA nuk u frymëzua nga viktimat në Gaza

Fushata reklamuese e ZARA nuk u frymëzua nga viktimat në Gaza

Fushata e fundit e kompanisë Zara ka ngjallur zemërim në rrjetet sociale, ku klientët kanë kërkuar bojkot ndaj saj. Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohet në artikuj të shpërndarë, Zara sqaron se fushata nuk ka asnjë lidhje me luftën në Gaza, duke bërë të ditur se foto janë realizuar në muajin shtator.

Lajme të shpërndara në mediat online në vendin tonë raportojnë se marka e njohur e veshjeve Zara po mbështetet genocidin e Izraelit ndaj Palestinës.

“ZARA mbështet genocidin e Izraelit në Palestinë, klientët nisin fushatën e bojkotit”-raporton Gazeta Impakt.

Lajmet e shpërndara në portale

Më tej në këtë artikull, raportohet lajmi që është transmetuar edhe nga disa media ndërkombëtare për pakënaqësinë që ka shkaktuar në disa ndjekës në rrjetet sociale fushata e fotografive e koleksionit të ri të ZARA. Kjo pasi në një nga fotografitë  shfaqet një modele që mban mbi krahë një manekin të mbështjellë me letër të bardhë, një pamje që disa ndjekës e kanë interpretuar si të ngjashme me çarçafët e bardhë që mbështjellin viktimat e  luftës në Gaza. Të njëjtën persona kanë bërë thirrje për të bojkotuar markën e njohur në mbarë botën.

Por, si qëndron e vërteta e këtij lajmi? Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, fillimisht duke iu referuar informacioneve të besueshme në mediat ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të “Al Jazeera”, kompania e modës Zara ka tërhequr një fushatë reklamuese nga faqja e parë e saj në internet, pasi aktivistët pro-palestinës kërkuan që klientët ta bojkotonin atë. Mirëpo, ‘Inditex’, kompania që zotëron Zara, tha të hënën se ndryshimi ishte pjesë e një procesi normal të rifreskimit të përmbajtjes dhe se fotot janë realizuar në shtator, para luftës aktuale midis Hamasit dhe Izraelit.

Fushata reklamuese shfaqte manekinë, të cilëve u mungonin gjymtyrë. Disa aktivistë aluduan se fotografitë u ngjanin imazheve nga sulmi i Izraelit në Gaza, ku mijëra palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Zara sqaroi se fushata reklamuese është konceptuar në korrik, fotografitë janë realizuara në shtator dhe se janë frymëzuar nga antikiteti grek.

Pas këtyre imazhe të postuara nga kompania, llogaria e Zarës në Instagram u pushtua me mijëra komente, ndërsa ‘hashtagu’ ‘#BoycottZara’ ishte bërë viral edhe në rrjetin X.

Nuk është hera e parë që kompania vihet në shënjestër të bojkotit nga mbështetësit e Palestinës. Edhe në vitin 2022, disa palestinezë postuan video të tyre duke djegur rrobat e Zara-s dhe duke u bërë thirrje të tjerëve që të mos mbështesin gjigantin e shitjes me pakicë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img