Një klip nga fjalimi i miliarderit Bill Gates po qarkullon në rrjet me pretendimin se sugjeron eleminimin e pacientëve për të ulur kostot e shëndetësisë. Verifikimi i Faktoje sjell videon në kontekstin e munguar.

——————————–

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet një video e miliarderit amerikan Bill Gates me pretendimin se Gates propozon uljen e kostove spitalore duke eleminuar pacientin.

Në klip Gates thotë:

“Si pasojë e kostove mjekësore shumë shumë të larta, dhe një mungesë vullneti për të thënë: ‘A është shpenzimi i një milionë dollarëve për ato tre muajt e fundit të jetës për atë pacient, a do ishte më mire të mos hiqje nga puna ato 10 mësues dhe të bësh atë shkëmbim në kosto mjekësore. Por kjo quhet ‘paneli i vdekjes’ dhe nuk supozohet ta diskutojmë këtë.” 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se klipi i mësipërm është shkëputur nga një event i vitit 2010 i organizuar nga Aspen Institute në Colorado, ShBA.

videon e plotë, Walter Isaacson, në atë kohë presidenti i Aspen Institute, pyet Gates nëse ai mendon se pjesa e produktit të brendshëm bruto (PBB) që shkon për shëndetësi është më shumë se ç’duhet.

Gates përgjigjet duke thënë se, me rritjen e kostove mjekësore, në nivel shtetëror dhe federal, sektorët e tjerë të ekonomisë vuajnë. Ai jep shembullin e arsimit, duke thënë se kostot e larta të përkujdesjes së fund-jetës të financuar nga shteti reflektohen në shkurtimin e fondeve për gjëra të tjera si rrogat e mësuesve.

Më pas, ai thotë se diskutimet publike mbi financimin e përkujdesjes së fund-jetës shihen si tabu dhe quhen ‘panele vdekjeje’ nga disa.

Konteksti i këtij diskutimi ka të bëjë me debatin që po ziente në ShBA në 2010. ‘Panelet e vdekjes’ është një term i përdorur nga kritikët e një parashikimi që gjendej në projektligjet e hershme të Aktit të Përkujdesjes së Përballueshme, një reformë në shëndetësi e ish-presidentit Barack Obama.

Klauzola në fjalë do të lejonte pacientët e siguruar me Medicare, shërbimi i sigurimit shëndetësor federal, ta përdornin atë për të paguar për seanca këshillimi mbi përkujdesjen e fund-jetës. Këto përfshijnë biseda mbi hartimin e një testamenti, autorizimin e një familjari apo miku të besuar për të marrë vendime mbi shëndetin tënd, dhe informacion mbi qëndrimin në azil për pacientët terminalë.

Në 2009, ish-guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin, pretendoi se kjo klauzolë praktikisht do të krijonte ‘panele vdekjeje’ dhe do të lejonte zyrtarë qeverie të vendosnin nëse pacientët do të jetonin apo do vdisnin. Ky pretendim është përgënjeshtruar nga Associated Press këtu.